Selimi: S’ka qeveri pro evropiane pa PDK-në

PUBLIKUAR

00_12_140498036897964823
Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka bërë me dije se logjika e shëndoshë dhe numrat në Kuvend tregojnë se në Kosovë nuk mund të ketë një qeveri pro evropiane dhe pro amerikane pa PDK-në.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka deklaruar se qeveria e ardhshme nuk mund të varet nga egot personale, por duhet të bazohet në një konsensus të gjerë dhe unitet politik.Sipas tij, këtë unitet e ofron vetëm PDK-ja. “Logjika e shëndoshë dhe numrat parlamentarë tregojnë se një qeveri pro – Evropë, pro – Amerikë dhe pro – progres nuk mund të bëhet pa PDK-në. Edhe ata që kundërshtojnë më së thelli publikisht dialogun me PDK-në, thellë në vete e dinë se që kjo Kosovë të ketë sukses në katër vjetët e ardhshëm, një qeveri nuk mund të varet nga egot personale, por duhet të spirancohet në një konsensus të gjerë dhe unitet. PDK-ja ofron këtë unitet”, ka thënë Selimi.

Ai ka treguar se nëse dikush mendon ndryshe, PDK-ja do t’i drejtohet sovranit, duke u shprehur i bindur në triumf. “Nëse dikush ka dëshirë ta kallë lojën duke u marrë me politika personale, ne do t’i kthehemi sovranit përsëri dhe nuk ka asnjë dyshim se populli do t’i dënojë rëndë ata që harrojnë principet duke u marrë me personat”, është shprehur Selimi.

I pyetur nëse PDK-ja ua ka ofruar postin e kryeministrit LDK-së, AAK-së apo Vetëvendosje!-s, ai ka thënë se nuk është i njoftuar për një gjë të tillë. Megjithatë, Selimi ka vlerësuar se partia më e madhe në vend për çdo partner të mundshëm ofron “Misionin e Ri” dhe Hashim Thaçin si burrështetas.

Ky i fundit, sipas tij, është njeriu më kredibil që mund të flasë në emër të Kosovës. “PDK-ja ofron dy gjëra: ‘Misionin e Ri’ si ofertë për të punuar shumë drejt zhvillimit ekonomik dhe Hashim Thaçin si burrështetasin e vetëm në Republikën e Kosovës me pëlqim dhe votëbesim nacional që është si motor në çdo mision që e merr e përfundon. A është kryeministri Thaçi pejgamber dhe perfekt? Larg qoftë! Asnjëri mbi tokë nuk është i tillë. A është njeriu më kredibil që mund të flasë në emër të Kosovës pa u skuqur për përkrahjen elektorale ose të bëmat e kaluara, besoj se numrat flasin vetë”, ka deklaruar Selimi, duke shtuar se deklarimet e partive të tjera, se gjoja PDK-ja ua ka ofruar postin e kryeministrit, bëhen për ta rritur pazarin në bisedë me njëra-tjetrën për poste./Rajonipress/.

 

SHIKO MË SHUMË

Vëllai i Gani Gecit para Gjykatës: Jemi familje shtetformuese, e duam shtetin!

“Jemi familje shtetformuese, nuk jemi shtetpërfituese”. Kështu u shpreh Fadil Geci, vëllai i Gani...

Kosova arrin marrëveshje me Austrinë e Turqinë për njohjen e kontributeve personale

Kosova ka arritur marrëveshje me dy shtete, Austrinë dhe Turqinë, për njohjen e kontributeve...

Themelohet grupi punues për apelin për ish-krerët e UÇK-së, kryesohet nga Konjufca

Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar grupin punues për të trajtuar në apel...