Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur sot në Davos lidhur me kërkesën e Brukselit se para anëtarësimit në BE, Serbia duhet të zgjidhë çështjen e kufijve.
Ai ka thënë për Sputnik se e përkrah dialogun me Prishtinën dhe se shpreson për një zgjidhje kompromisi, por nuk ka shumë shpresa se kjo do të ndodhë deri në fund të vitit 2018, transmeton Indeksonline.
Vuçiq në pyetjen pse nuk dëshiron që serbët në Kosovë t’i ndihmojë me armë, është përgjigjur se për ata është më me shumë rëndësi që të kenë shkolla, çerdhe dhe ndihmë ekonomike, pra diçka nga e cila mund të jetojnë, kërkesë kjo që iu bë të shtunën derisa ishte për vizitë në Kosovë.
“Mendoj se njerëzit kanë pasur mjaft luftëra, e më duhet ta pranoj, këtë nuk po e dëgjoj nga pala tjetër, por e di se për serbët, për popullin serb, luftërat janë mjaft. Na duhen paqja dhe stabiliteti më shumë se çdo gjë tjetër”, ka thënë ai. /Indeksonline/