Nga vrasja tragjike në Prizren ku një person mbeti i vdekur dhe një tjetër plagosur, gjashtë persona të dyshuar janë intervistuar në stacionin policorë në Prizren dhe me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë në ndalim policor.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi i cili tha se për hetime të mëtejme me rastin do të merret drejtoria për krime të rënda në Prishtinë.
“Gjashtë persona janë në përfundim e sipër të intervistimit të tyre në stacioni policor në Prizren. Me vendim të prokurorit të gjashtë ndalohen për 48 orë në ndalim policor. Për hetime të mëtejme merret drejtoria për krime të rënda në Prishtinë”, ka thënë Bytyqi.
LTelegrafi merr vesh edhe disa prova materiale (kamerat) të rastit nuk po i gjen policia.
Po ashtu për Telegrafin ka folur edhe drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Islam Ukimeri, i cili tha se lokali “Kobra City” do të mbetet përkohësisht i mbyllur deri në një vendin të gjykatës në Prizren.
“Sot në orët e para të mëngjesit kemi pas telefonat nga Policia e Kosovës në Prizren dhe me kërkesë të tyre, ne obligohemi menjëherë të dalim në vendin e ngjarjes pasi na kanë njoftuar se në një lokal nate ka pasur gjuajtje me armë. Ne si inspektorat, inspektorati i tregut komunal kemi dal në vendin e ngjarjes. Dhe pasi kemi dal në vendin e ngjarjes, pronarët apo punonjësit që punojnë aty, obligohen të na paraqesin dokumentacion. Ata nuk kanë pasur mundësi që të na paraqesin dokumentacionin pasi disa persona kanë qenë me duar të lidhura nga policia dhe duke ia marr shënimet për rastin në fjalë. Dhe me mos prezantimin e dokumentacionit, ne si inspektorat obligohemi ta mbyllim lokalin përkohësisht. Inspektorat e tregut komunal obligohen ta mbajnë lokalin mbyllur përkohësisht deri në një vendim të gjykatës”, ka thënë Ukimeraj për Telegrafin.
Në vendngjarje Bytyqi konfirmoi se janë gjetur të paktën tri gëzhoja plumbash si dhe është hasur lokali i demoluar.
“Është kryer bastisja e lokalit si dhe shtëpisë së të dyshuarit. Në vendngjarje anë gjetur së paku tri gëzhoja dhe lokali i demoluar. Aktualisht po vazhdon intervistimi i të dyshuarit dhe personave të tjerë, dëshmitarë okularë si dhe pjesëtarë të stafit të lokalit”, u shpreh ai.
Tutje, bëri të ditur se janë duke u analizuar provat dhe dyshimet janë që vrasja ka ndodhur jashtë lokalit.
Si pasojë, njëri nga ta ka mbetur i vdekur, kurse një tjetër është plagosur.
Policia bën me dije se viktima është një 31-vjeçar me inicialet V.C, i cili ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Kukësit. Ndërsa, i plagosur ka mbetur një 27-vjeçar me inicialet R.SH.
Ky i fundit ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit.


