Qeveria e ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027.
Kryeministri Albin Kurti tha në një mbledhje të Qeverisë se ligji për buxhetin e vitit të ri parasheh pagën e 13-të në fillim të vitit dhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga korriku 2027.
“Njësoj sikurse sivjet, buxheti 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, tha ai.
Kurti tha se kështu do të përmbushin një prej premtimeve “qysh në vitin e ardhshëm”.
“Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliardë e 85 milionë euro, e që kur përpjesëtohet me rreth 85 mijë punonjësit publikë, paga mesatare vjetore bruto rezulton mbi 12 mijë euro, apo mbi 1,000 euro bruto në muaj – gjë që nënkupton edhe përmbushjen e njërit nga premtimet tona për mandatin e radhës, qysh në vitin e ardhshëm. E sigurisht që rritja nuk ndalet me kaq, sepse do të vazhdojë secilin vit krahas rritjes ekonomike”, tha ai.


