Veteranizmi dhe vota e shkëmbimit – shkrim nga Adnan Rrustemi

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Vranët dhe me shi

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se për të shtunën parashikohet të mbajë...

Leposaviq: Motra e raportoi për dhunë psikike, intervistohet pasi i kalon dehja

Një person në Leposaviq është intervistuar pasi i ka kaluar dehja, pasi motra e...

Nga Adnan Rrustemi

Klientelizmi në thelb është një variant i “politikës së interesit të veçantë” në kurriz të interesit të përgjithshëm dhe të përbashkët, i cili shërben si mekanizëm përmes të cilit partitë politike dhe përfaqësuesit politikë marrin mbështetje elektorale në këmbim të ndarjes selektive të përfitimeve përmes institucioneve dhe resurseve shtetërore.

Me këtë rast, si pasojë, përfituesit, klientët apo agjentët e tyre votojnë dhe votohen diku nga detyrimi, e diku tjetër si shpagim apo si shkëmbim i veçantë për shërbimet e kryera paraprakisht apo të premtuara.

Në kontekst elektoral, klientelizmi politik i zhvleftëson zgjedhjet e lira si atribut i demokracisë përfaqësuese, duke i kthyer ato më tepër në një barometër të efekteve të tij sesa që mundëson përkthimin e vullnetit të votuesve në përfaqësim dhe politika qeverisëse.

Për më tepër, klientelizmi e pamundëson politikën e mirëfilltë si aktivitet shoqëror, duke zëvendësuar idetë, konceptet, programet e alternativat politike me transaksione të dyshimta, para dore, tenderë, punësime jomeritore në sektorin publik, subvencione të ndryshme e deri te shpërndarja e miellit e pakove ushqimore e shlyerja e “veresieve” në shitoren e fshatit gjatë fushatave parazgjedhore.

Partitë politike në pushtet në Kosovë, të organizuara me struktura të burokratizuara, autoritariste, e shpeshherë edhe kriminale, me pronarë biznesesh dhe fisnikëri lokale si patronë, synojnë të ndiqen nga klientët, duke kërkuar përfitime materiale të menjëhershme dhe aspak politike dhe të paqëndrueshme, në këmbim të votës së tyre.

Në këto “parti- biznes” e më pas “parti-biznes-shtet” klientëve duhet “blerë” votat, duke u shpërndarë përfitime konkrete individuale dhe përjashtimin e diskutimit politik për programet dhe konceptet politike. Përfitimet janë të ndryshme, që burojnë e i përshtaten kontekstit socio-ekonomik e politik; nga punësimet në administratën publike të militantëve partiakë që në Kosovë janë kthyer në ritual normal, vendimet për rritje pagash të shërbyesve civilë nga zyrat e partisë në pushtet dhe shkurtime të pagesave për regjistrimin e studentëve brenda fushatës parazgjedhore, krijim të konditave për regjistrim të pakontrolluar dhe të paverifikuar të veteranëve përtej çdo parashikimi, dhënie të tenderëve publikë financuesve paraprakë apo të nesërm të fushatave e deri tek vënia e miliona eurove kundërligjshëm dorë më dorë gjatë fushatave parazgjedhore, që përdoren për të blerë votën e fundit në ditën e zgjedhjeve.
Klientelizmi në Kosovë është rrënjosur thellë në sistemin politik, duke u bërë aspekti më shqetësues i integritetit të zgjedhjeve. Nëse më 2010 kishim vjedhje industriale të votave dhe mbushje të kutive me mbi 120%, në zgjedhjet e fundit kishim një shfaqje agresive dhe shqetësuese të një klientelizmi masiv të partive në pushtet, që për më tepër shërbyen si një ogur i zi për perspektivën e zgjedhjeve të lira dhe të drejta.

Një tregues, por jo i vetmi, i funksionimit të klientelizmit në Kosovë janë edhe të dhënat e hulumtimit të opinionit publik, siç është Pulsi Publik i UNDP-së, për kënaqshmërinë, respektivisht pakënaqësinë e qytetarëve me institucionet. Në periudhën ndërmjet prillit dhe nëntorit 2014, mbi 80 % e qytetarëve ishin të pakënaqur me punën e Institucioneve Qendrore të Kosovës.

Gjersa, në zgjedhjet e të njëjtës periudhë, partia që kishte drejtuar këto institucione dhe që mban përgjegjësinë e të gjitha proceseve të dëmshme politike e ekonomike në vend, doli sërish partia e parë. Kjo mospërputhje në mes të pakënaqësisë së qytetarëve në institucione dhe rezultatit të zgjedhjeve duhet të shpjegohet sidomos përmes pranisë së klientelizmit.

Kjo dukuri në Kosovë, si kudo tjetër, përtej deformimeve zinxhirore që gjeneron në shumë procese shoqërore ka qenë dhe mbetet një orientim strategjik, tërësisht i qëllimshëm i partive që kanë qeverisur dhe po qeverisin në Kosovë.

Të vetëdijshëm se për çfarë kishin ardhur në pushtet; plaçkitjet dhe pasurimin personal, të zhveshur tërësisht nga sfondi konceptual dhe ideologjik, ciklin e keqpërdorimeve me buxhetin dhe resurset shtetërore i vënë edhe në qarkullim të votave, si mirëmbajtje të ciklit të plaçkitjeve dhe mburojë politike të veprimeve thellësisht kriminale. Të njëjtit, haptazi  janë orientuar në fuqizimin e klientelizmit, edhe duke e artikuluar atë si ofertën e tyre të vetme “politike” për  votuesit.

Megjithatë, zhvillimi i ngjarjeve në muajt e fundit përbëjnë zhvillime dhe mësime të reja për të cilat ka nevojë për sqarime. Këto ngjarje dhe sidomos rezultati i fundit na bëri të vetëdijshëm për përmasën e atij fenomeni për të cilin edhe kishim folur më herët: kapja e shtetit dhe mbërthimi i shoqërisë nga rrjeti i madh mafioz e klientelist.

Në Kosovë si rrallëkund tjetër sistemi formal-demokratik është në mospërputhje të madhe me marrëdhëniet socio-ekonomike. Shteti i kapur është mohim direkt i demokracisë. Ne e dimë se demokracia liberale lind në një fazë të caktuar historike që përputhet me shthurjen e marrëdhënieve feudale dhe lindjen e marrëdhënieve kapitaliste.

Ky ndryshim solli çlirimin formal të fshatarit (bujkrobit) nga feudali. Për sistemin demokratik është e nevojshme një hapësirë anonimiteti dhe lirie mendimi e veprimi për qytetarin. Në Kosovë kjo hapësirë është fare e ngushtë. Qytetari formalisht ka të drejtë të votojë, por është i kushtëzuar, i frikësuar e i shantazhuar nga pushteti në secilin hap të jetës. Paradoksalisht, zbatimi i neoliberalizmit ka krijuar realitete që më shumë i ngjajnë mesjetës dhe marrëdhënieve parakapitaliste sesa modernitetit.

Papunësia e madhe, përveç efekteve të rënda sociale ka krijuar edhe ambient të përçudnuar politik. Klientelizmi është fenomeni tipik neoliberal që kusht strukturor ka papunësinë dhe shthurjen e stofit social, e si pasojë edhe pamundësinë e identifikimit politik të qytetarëve si kolektivitet, qoftë klasë, shtresë apo kategori sociale. Ky realitet mundëson lidhjen e shkurtër direkte dhe apolitike midis partive që bëhen agjenci punësimi për të punësuar qytetarët në administratën publike a gjetiu në shtet.

Kosova nuk është një vend normal me marrëdhënie të stabilizuara shfrytëzimi ku pas një kohe të qeverisjes së një subjekti, si rezultat i inercisë ndodh rotacioni politik. Përkundrazi, në Kosovë pushteti është mundësi për ta forcuar oligarkinë dhe pushtetin autoritar. Në këto kushte, për të pasur zgjedhje të lira, së pari duhet çliruar shteti. Një ndërhyrje subversive nga brenda duket e nevojshme. Këputja e lidhjeve klienteliste, çlirimi i qytetarëve nga shantazhet e kushtëzimet është mundësia për të çarë rrethin që riprodhon të njëjtën gjendje e për të çelur horizonte të reja. Është mundësia për mundësinë. Tamam sikur hallka që po të shtrëngohet fort e mban gjithë zinxhirin dhe siguron kalimin në hallkën tjetër.

Tanimë, kur kalbja politike e kësaj konjukture qeverisëse ka arritur kulmin dhe shpëtimi i tyre politik është i paudhë, klientelizmi politik paraqet shtegun e vetëm jopolitik, përmes të cilit do të përpëliten edhe për ca kohë, duke e ngritur atë në sfidën më të madhe për integritetin e zgjedhjeve.

Nuk mund të flasim për zgjedhje të lira dhe të ndershme për sa kohë nuk kemi një ambient fer dhe të barabartë të garës elektorale, ku kriter dhe faktor i vetëm i përcaktimit të votuesve është oferta politike dhe programore dhe jo blerja e votave në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga partitë në pushtet.

Pakënaqësia në rritje e qytetarëve kundër kësaj kaste qeverisëse e rrit edhe më shumë rrezikun e zgjerimit të klientelizmit nga koalicioni qeverisës, i cili po bën çmos që rënien drastike të përkrahësve të tyre, sadopak ta ngadalësojë.

SHIKO MË SHUMË

Opinioni i Ymer Troshupës për rikandidimin e Imri Ahmetit për Kryetar të Lipjanit

Opinion nga Ymer Troshupa: Zyrtarizimi i kandidatures së Imri Ahmeti-t kandidat për Kryetar të Lipjan-it,...

Ymer Troshupa: Kënd po e thërret Ezani

Nga Ymer Troshupa Sot në Magurë të Lipjanit, u rrënua një objekt, që dikush mund...

Troshupa: Tri spektakle të turpshme dje i pasqyruam para Botës

Nga Ymer Troshupa: 1-U arrestuan, duke i refuzuar dhe kontestuar ftesat që burojnë nga një...