Veriu i Kosovës, aty ku nuk sundon ligji

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Një polic lëndohet gjatë intervenimit në një rrahje mes disa personave në Prishtinë

Të shtunën në Prishtinë, një polic i Kosovës ka pësuar lëndime pas intervenimit në...

Nderohet dëshmori Shaqir Hoxha

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti së bashku me bashkëpunëtorë gjatë ditës së...

Veriu i Kosovës vlerësohet si rajoni ku nuk sundon ligji, ku të fortit e bëjnë ligjin e bosët e krimit vendosin për fatin e njerëzve, madje edhe për jetët e tyre. Ata vendosin a do të jetosh ose a do të vdesësh. “KRIK naglas”: Kur bëhet fjalë për vepra kriminale nuk ka ndarje në mes të serbëve dhe të shqiptarëve, të përfshirë janë të gjithë, biznesmenë dhe politikanë, shlruan sot gazeta Zëri.

Veriu i Kosovës vlerësohet si rajoni i vetëm i vendit ku nuk funksionon ligji, të fortit e asaj pjese e bëjnë ligjin, ndërsa bosët e krimit, para së gjithash Zvonko Veselinoviq e Millan Radojiçiq, vendosin për fatin e njerëzve, madje edhe për jetët e tyre. Ata vendosin a do të jetosh ose a do të vdesësh. Kur bëhet fjalë për vepra kriminale nuk ka ndarje në mes të serbëve dhe të shqiptarëve, të përfshirë janë të gjithë, biznesmenë dhe politikanë, shqiptarë e serbë. Ata nuk i prishin llogaritë e njëri-tjetrit, madje i kanë të ndara edhe rajonet nëpër të cilat veprojnë. Një përfundim të tillë e ka nxjerrë gazeta beogradase “KRIK naglas”, të cilin e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës. Sipas këtij mediumi, bosët e krimit në veri dhe në Serbi janë të lidhur ngushtë me politikën, derisa përmendën edhe biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli, si dhe kreu i shtetit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Gazeta ka publikuar një fotografi të bërë në një jaht në Budva të Malit të Zi, ku shihen ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli dhe njëri prej bosëve më të mëdhenj të krimit në veri të Kosovës dhe në Serbi Millan Radojiçiqi, i cili, siç thuhet në përshkrimin e fotografisë, “përpiqet ta bindë Pacollin të bëhet pjesë e qeverisë ‘Haradinaj” në kohën kur bisedohej për formimin e qeverisë së Kosovës.

Lufta për pozita dhe për tenderë

“Derisa bisedohej për formimin e qeverisë së Kosovës atyre u duhej një ndihmë që të fillojnë të bisedojnë për përbërjen e qeverisë kosovare, të cilën do ta udhëhiqte Ramush Haradinaj. Haradinaj ishte anëtar i një koalicioni të madh të luftës, ndërsa koalicioni nuk bëhej edhe pas përfshirjes së Listës Serbe. Për një ndihmë të tillë atyre u duhej Behgjet Pacolli, i cili i jep mbështetje Haradinajt dhe në këtë mënyrë ky i fundi bëhet kryeministër, derisa Pacolli ministër i Punëve të Jashtme”, thotë Bojana Pavlloviq, nga “KRIK naglas”, e cila ka shtruar pyetjen se çfarë kishte dobi nga kjo punë Millan Radojiçiqi. Ajo çfarë supozon Pavlloviqi është lufta, gjegjësisht përpjekjet për të hyrë zyrtarisht në tregimin e politikës kosovare. Nëse Lista Serbe bëhet pjesë e qeverisë, ka në dispozicion ministri të caktuara, ajo zë vend nëpër borde të ndërmarrjeve, ndërsa bashkëpunëtorëve dhe miqve u hapen rrugë për të fituar shuma të mëdha të parave nëpërmes tenderëve që i shpall shteti i Kosovës. Bojana Pavlloviq thotë se është përpjekur të kontaktojë me kryetarin e Listës Serbe Goran Rakiqin, por ai nuk është përgjigjur, ndërsa nga kabineti i Pacollit Pavlloviqi thotë se gjithashtu kishte marrë premtime, por nuk ishin përgjigjur. Ndërkaq sa i përket Radojiçiqit, Pavlloviqi thotë se kishte biseduar shkurtas me të dhe ai e kishte mbyllur telefonin. “Ne jemi duke u përpjekur për kohë të gjatë të vijmë deri tek ai. Ai ka ardhur në Kryesi si përfaqësues i Listës Serbe, por gjithmonë ka arritur të ikë nga ndonjë derë prapa, sa herë që kemi tentuar të bisedojmë me të. Nuk kemi arritur të vijmë deri tek ai, kemi shumë pyetje për të, ndërsa njëra prej tyre është ‘për ç’arsye nuk përgjigjet para ligjit, nëse vërtet është i pafajshëm dhe se kjo është vetëm një ndjekje politike që bëhet ndaj tij?’, ai nuk shkon, nuk përgjigjet në pyetjet e organeve gjyqësore të Kosovës që kanë për të. E dyta do të ishte, për ç’arsye Oliver Ivanoviqi e kishte cilësuar si qendër e fuqishme joformale në Kosovë dhe çfarë do të thotë kjo në përgjithësi?”, thotë Pavlloviqi.

Vrasja e Ivanoviqit dhe (pa)fajësia e Veselinoviqit dhe e Radojiçiqit

Tani kur janë bërë dy vjet nga vrasja e Oliver Ivanoviqit Radojiçiqi dhe Veselinoviqi janë ata që vlerësohen si ideatorët dhe urdhërdhënësit e vrasjes së tij. Por kjo asnjëherë nuk ka ndikuar në pozicionet që ata mbajnë. “Madje Radojiçiqi edhe e ka zyrtarizuar funksionin e tij në Listën Serbe, është bërë nënkryetar i Listë Serbe. Për Radojiçiqin dhe për Veselinoviqin është ditur edhe më herët, edhe para vrasjes së Ivanoviqit, por kjo ngjarje ka qenë aq tronditëse dhe traumatike, gjë që ka trimëruar shumëkënd, ka inkurajuar njerëzit të fillojnë të pyesin, sepse kanë kuptuar çfarë po ndodh. Për ta është folur se janë të përzier në vrasjen e Ivanoviqit. Ata nuk janë gjetur në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, sepse ligjet e Kosovës nuk lejojnë të ngrihet aktakuzë dhe të gjykohen njerëzit në mungesë dhe kjo ka qenë arsyeja e vetme pse ata nuk janë akuzuar. Ndodh në mënyrë konstante se nga njëra palë ekziston dëshira t’i arrestojnë, ndërsa nga pala tjetër ata paraprakisht i paralajmërojnë, në mënyrë që të mundë ta lëshojnë Kosovën dhe në këtë mënyrë t’i mbrojnë”, ka thënë Pavlloviqi. E pyetur se për ç’arsye Radojiçiqi e ka marrë funksionin e nënkryetarit të Listës Serbe, ajo tha se kjo në një mënyrë i krijon mbrojtje politike nga partia e tij, mbi të cilën ka pasur ndikim edhe më përpara. “Siç po shihet, ky takim në jaht flet pikërisht për këtë, ndodh në momentin kur Radojiçiqi nuk ka absolutisht asnjë pozitë politike, ndërsa ai ulet e bisedon, në emër të kujt bisedon? Radojiçiqi thotë se ka biseduar në emër të serbëve, por unë mendoj se me këtë janë bërë përpjekje që atij t’i jepet imunitet politik, që të thonë se ai akuzohet si serb dhe si anëtar i një partie shumë të fortë e jo si fajtor i vërtetë”, shprehet ajo.

Në anën tjetër, nipi i Oliver Ivanoviqit ka thënë hapur se në veri të Mitrovicës ka njerëz të cilët vendosin se kush duhet të jetojë e kush duhet të vdesë. Për të të gjithë ata që nuk shkojnë rrugës që ua trasojnë bosët e krimit (nuk ka përmendur emra) janë të rrezikuar që të vriten. “I tillë ka qenë edhe Oliveri”, thotë Branisllav Ivanoviqi, nipi i Oliver Ivanoviqit.

Për vepra kriminale shqiptarë e serbë bashkë

Siç përcjell “Kossev”-i në veri të Mitrovicës shkrimin e gazetës beogradase “KRIK naglas”, kur bëhet fjalë për vepra kriminale shqiptarë dhe serbë janë bashkë, ata veprojnë bashkërisht edhe në veri, edhe në jug. Gazeta citon pjesë të një raporti të BIA-s serbe, sipas të cilit një shqiptar i Mitrovicës, Ismet Osmani, kishte bashkëpunuar me Veselinoviqin në atë mënyrë që narkotikët dhe armët nga veriu ia kanë shpërndarë në jug. Ndonëse janë cilësuar si biznesmenë kontroversë, Veselinoviqi dhe Radojiçiqi shpesh janë parë në fotografi të shoqëruar nga njerëz me ndikim. “Në një anë kemi një fotografi të Radojiçiqit me Pacollin e në anën tjetër një fotografi të Radojiçiqit me vëllain e Vuçiqit. Kjo do të thotë këta njerëz ndodhen gjithkund, se ata kanë ardhur deri në maja të pushtetit, ata rrinë bashkë nëpër restorante, kënaqen dhe bëjnë jetë luksoze. Ndoshta flasin për ndeshje futbolli ose për çështje private, por kjo është pak e besueshme, do të thotë ajo sa dimë tani për Veselinoviqin është se ai bën punë të mëdha në Serbi, se është njëri nga njerëzit më të fuqishëm në shtetin e Serbisë, se fiton shumë para me tenderë, do të thotë merr para të buxhetit. Ne tani jemi në një situatë që të themi se është shumë keq që ata rrinë bashkë, se kemi të bëjmë me një njeri që edhe më përpara është akuzuar për kontrabandë me narkotikë, se shërbimet informative si institucione zyrtare të shtetit kanë thënë se ai njeri është kriminel, ndërsa tani rri me vëllain e presidentit të shtetit. Përgjigja e vetme që ne marrim është se ‘po ani çka nëse ata rrinë bashkë, a është e ndaluar kjo që ata të rrinë bashkë?”. Në çdo shoqëri normale kjo pyetje nuk do të bëhej fare. Te ne është situatë tjetër”, ka vlerësuar Bojana Pavlloviqi, nga gazeta beogradase “KRIK naglas”, të cilën e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës. /ZERI

SHIKO MË SHUMË

Një polic lëndohet gjatë intervenimit në një rrahje mes disa personave në Prishtinë

Të shtunën në Prishtinë, një polic i Kosovës ka pësuar lëndime pas intervenimit në...

Kishte 487 kg duhan kontrabandë, një person ik në drejtim të Maqedonisë së Veriut kur sheh policinë

Policia kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dje në fshatin Krivenik...

Sot diell dhe vranët, nga e diela stabilizim i motit – temperaturat deri në 24 gradë

Për të premten në Kosovë parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa...