Thaçi takoi kryetarin e Ulqinit, popullsia shqiptare urë e rëndësishme mes dy shteteve

PUBLIKUAR

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim kryetarin e Ulqinit, Nazif Cungu, i cili është edhe kryetar i partisë kryesore të shqiptarëve në Mal të Zi, Forca e Re Demokratike.

Presidenti Thaçi e siguroi kryetarin e Ulqinit se shqiptarët e Malit të Zi do të kenë vazhdimisht mbështetjen e tij personale dhe të Republikës së Kosovës, duke e uruar atë për rimarrjen e detyrës së kryetarit të komunës, si dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO të Malit të Zi.

“Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi gjithnjë e më shumë janë duke u përmirësuar dhe popullsia shqiptare në Mal të Zi është një urë e rëndësishme komunikimi dhe lidhjeje mes dy shteteve”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, pasi uroi presidentin Thaçi për marrjen e detyrës së re, mirëpriti qetësimin e situatës politike në Kosovë. “Kur Kosova është qetë, edhe shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në shtetet e tjera qetësohen, mirëpo kur Kosova është e tensionuar, ata ndihen shumëfish të shqetësuar”, tha kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu.

Kryetari i Ulqinit e njoftoi presidentin Thaçi edhe për gjendjen sociale dhe ekonomike të komunitetit shqiptar dhe për zhvillimet e fundit politike në Mal të Zi.

Ai, gjithashtu, kërkoi ndihmën e presidentit Thaçi për të lobuar pranë Tiranës dhe Podgoricës, që të lehtësohet kalimi i pushuesve dhe mërgimtarëve kosovarë në pikën kufitare të Muriqanit, ku radha e makinave gjatë sezonit veror është shumë e gjatë dhe qytetarët qëndrojnë me orë të tëra në pritje të kalimit të kufirit.

Presidenti Thaçi e siguroi kryetarin e Ulqinit, se do ta trajtojë këtë çështje me vëmendje dhe do ta diskutojë me përfaqësuesit e vendeve fqinje, në rastet më të afërta që do të takohet me ta.

Gjithashtu, presidenti Thaçi e njoftoi kryetarin e komunës së Ulqinit, që në të ardhmen e afërt do të ketë vizitë zyrtare në Mal të Zi dhe si qytetar nderi i Ulqinit, padyshim që do të vizitojë sërish edhe Ulqinin. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Pritje deri 15 minuta në pikat kufitare në dalje të Kosovës

Sipas të dhënave më të fundit Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, gjendja në pikat...

Dehari në “seancë” me vizitorë nga diaspora, Kuvendi: U pritën 432 bashkatdhetarë, aktiviteti vazhdon edhe nesër

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar për pritjen që iu kanë bërë vizitorëve nga diaspora...

Nga viti i ardhshëm, në aeroport mund të pini ujë falas

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar se, nga viti i ardhshëm,...