Amendamentet kushtetuese, që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, dhe formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk do të jenë në rend dite as në seancën e kësaj të enjte të Kuvendit të Kosovës.
Kryesia e Kuvendit nuk ka vendosur që çështja e Dhomave të Specializuara të jetë këtë javë, meqenëse Qeveria e Kosovës ende nuk i ka proceduar ndryshimet kushtetuese.
“Në momentin që do t’i kemi në Kuvend amendamentet kushtetuese për Gjykatën Speciale ne do t’i procedojmë. Ajo që po iu intereson juve gazetarëve është se çështja e Gjykatës nuk do të jetë as në këtë seancë. Kryesia e Kuvendit nuk mund t’i fusë në rend dite pa i pasur amendamentet dhe tek pas aprovimit të tyre ne do ta kemi Draft-ligjin që lidhet me Dhomat e Specializuara. Pra, duhet ta kemi një riprocedim nga Qeveria e Kosovës brenda kornizave ligjore, duke respektuar Kushtetutën dhe pastaj ne do ta procedojmë”, ka thënë të hënën kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. /Zëri/


