Gjini, Kurtit: Nga shkon Lumezi, vjen Elezi, erdhi Bylmezi

PUBLIKUAR

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, gjatë një takimi me qytetarë në Prizren, ka kritikuar qasjen e pushtetit, duke thënë se për vite me radhë është ndërtuar një narracion politik mbi ndarjen e shoqërisë dhe vendosjen e njerëzve kundër njëri-tjetrit.

Duke iu referuar shprehjes “Shkon Lumezi, vjen Elezi”, Gjini tha se në vend të ndryshimit të premtuar, në pushtet ka ardhur “Bylmezi”, duke e cilësuar këtë si një tjetër zhgënjim për qytetarët.

Ai theksoi se nuk mund të ketë qeverisje që synon ta rregullojë Kosovën duke qenë kundër bizneseve, prokurorëve dhe gjyqtarëve, Amerikës, mediave dhe opozitës.

“Nuk mundet me pas pushtet i cili do me e ndreqë Kosovën, po kundër bizneseve. Që do me e rregullu sundimin e ligjit, po kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve. Që do me i ndreqë marrëdhëniet ndërkombëtare, po kundër Amerikës. Që do me e rregullu demokracinë, po kundër mediave. Që do me e luftu korrupsionin, po kundër opozitës, jo kundër hajnave të vet”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka thënë se problemi kryesor qëndron në faktin se motivimi politik dhe narracioni publik janë ndërtuar mbi kundërshtimin e dikujt, e jo mbi një vizion dhe qëllim të përbashkët për vendin.

Gjini ka paralajmëruar edhe për pasojat e ndarjeve të tilla në shoqëri, duke përmendur përçarjen mes diasporës dhe qytetarëve që jetojnë në Kosovë, mes qytetit dhe fshatit, si dhe mes njerëzve të së njëjtës shoqëri.

“Nuk guxojmë me i dhënë këto mesazhe si start. Pushteti nuk mundet me qenë veç kundër diçkaje ose kundër dikujt. Duhet me qenë për diçka”, ka përfunduar Gjini.

SHIKO MË SHUMË

Kurti njofton për hapjen e thirrjes për bursat e mobilitetit, studentët mund të përfitojnë varësisht nga distanca në kilometra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka...

Kurti nga Tirana: Kosova e ka merituar statusin e vendit kandidat në BE, tani është urgjente

Dy ditë pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, sot kryeministri I Kosovës Albin Kurti...

Dita e Forcës, pjesëtarët e FSK marrin komplimente nga fëmijët: Po dokni si FBI

Po shënohet Dita e Forcës në Kosovë, ku pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së...