Menaxheri i picerisë së njohur “Domino’s”, Andy Ritchie gjatë gjithë karrierës së tij ka marrë urdhra, por asnjëherë si këtë: Të ushqejë udhëtarët e uritur, të lodhur dhe nervozë të një aeroplani.
Piloti i kompanisë ajrore “Frontier Airlines” ka telefonuar në një piceri në Cheyenne (ShBA) dhe porositi pica për 160 pasagjerë dhe anëtarët e ekuipazhit. Ritchie dhe dy punonjës përgatitën 35 pica dhe pastaj i dërguan në aeroport.
“Ne i afruam deri në banak për t’i kontrolluar dhe pastaj stafi i aeroportit shoferin tonë e shoqëruan deri në aeroplan tek stjuardesat,” ka thënë Ritchie për AFP.
Aeroplani fluturoi nga Uashingtoni për Denver, por për shkak të stuhisë ai u detyrua të ateroj në Cheyenne. Aeroplani tashmë u shty, dhe për shkak të motit të keq pasagjerët u detyruan të presin edhe dy orë, sipas medieve amerikane.
Sipas njërit prej udhëtarëve, piloti ka thënë: “Zonja dhe zotërinj, “Frontier Airlines” ndoshta është njëra nga kompanitë ajrore më e lirë në Shtetet e Bashkuara, por kapiteni i juaj nuk është dorështrënguar” dhe pastaj porositi pica për gjithë aeroplanin. Ritchie ka konfirmuar se faturën piloti e pagoi me kartë krediti, e cila arriti në disa qindra dollarë.