Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka komentuar deklaratën e Edi Ramës në të cilën ai bëri një krahasim banal për liderët kosovarë.
Veprimet e liderëve politik në Kosovë në raport me shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Rama i ka vlerësuar si ‘lopa kur bën qumështin dhe kthehet shqelmon kovën”.
Në një deklaratë për Indeksonline, Sali Berisha ka thënë se krahasimi i bërë nga Edi Rama për liderët kosovarë është fatkeq e denigrues.
“Unë kam shprehur qëndrimin tim ndaj nismës për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Veprimi i tërheqjes nga kjo nismë është për tu përshëndetur. Mendoj se deklarata dhe krahasimi i Edi Ramës është fatkeq, denigrues dhe vulgar. Krahasimet me lopë, kuaj, viça, qenë, është praktikë e vjetër e kafshërimit të kundërshtarit e trashëguar nga koha e monizmit” ka thënë Sali Berisha.