Mbajtja e provimit shtetëror të maturës do të bëhet në dy pjesë, përkatësisht më 6 dhe 20 qershor dhe procedurat për përgatitjen e mbajtjes së provimit shtetëror të maturës janë në përfundim.
Provimit të maturës, sipas paraqitjes që i kanë bërë maturantët deri në afatin e fundit – 27 maj, pritet t’i nënshtrohen rreth 33 mijë maturantë.
Kjo është bërë e ditur nga Azem Guri, kryetar i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës.
Sipas Gurit, në provimin shtetëror të maturës do të jenë rreth 2500 administrues dhe rreth 500 mbikëqyrës.
“Një mbikëqyrës do t’i përfshijë pesë klasë që do ta kenë nga një administrues. Numri maksimal i nxënësve në çdo klasë do të jetë 15 nxënës. Provimi do të mbahet në ambiente të mbyllura”, ka thënë Guri për Telegrafin.
Ai gjithashtu tha se: “Është formuar një komision që përbëhet prej kryetarit të komisionit i cili është nga MASHT-i dhe nga universitet publike, nga dy anëtarët e drejtorive të shkollave të mesme dhe nga drejtori komunale të arsimit”.
“Faza e trajnimeve me mbikëqyrës dhe administrues ka përfunduar. Tani jemi në fazën përfundimtare të takimit të kryetarëve të qendrave të testimit dhe anëtarëve të tjerë të cilët jemi duke zhvilluar një lloj trajnimi që do të njoftohen me përgjegjësitë dhe detyrat. Sipas planit që ka paraparë KQSHM çdo gjë po shkon në rregull dhe shpresoj që ditën e mbajtjes së testimit do të shkoj procesi mirë”, ka thënë më tej Guri.
Ndryshimi nga viti i kaluar, sipas tij, është se këtë vit nuk i kanë angazhuar kompanitë e sigurimit për mbikëqyrje e këtij procesi.
Azem Guri gjithashtu ka bërë të ditur se Testi i Maturës do të zhvillohet edhe në gjuhë të tjera përveç gjuhës shqipe.
“Ne kemi edhe shkolla në veri në gjuhën shqipe por kemi edhe kërkesa të komunitetit serb për t’iu nënshtruar provimit të maturës, konkretisht në Graçanicë. I kemi integruar dhe njëkohësisht i kemi përgatitur testet edhe për komunitetin serb. Gjithashtu testet do të jenë edhe në gjuhën boshnjake”, ka thënë ndër tjerash Guri.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, është mbajtur një takim ndërmjet ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami me kryetarët e komunave , drejtoritë e komunave të arsimit dhe drejtorët e shkollave të mesme të larta, për të kërkuar një mobilizim rreth mbarëvajtjes së procesit të provimit shtetëror të maturës. /Telegrafi/


