Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka njoftuar se sot, më 27 prill 2016, u krye një operacion kërkimi dhe arrestimi në kuadër të një hetimi penal, në vijim e sipër të PSRK-së, duke e zbatuar urdhrin e një gjyqtari të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës, të lëshuar më 26 prill 2016.
Sipas njoftimit për media, thuhet se operacioni është kryer në bashkëpunim në mes të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.
“Rreth 350 policë kanë bastisur rreth 42 lokacione, që lidhen me 40 të dyshuar të një hetimi penal që është duke vazhduar. Gjashtë (6) persona janë arrestuar gjatë operacionit dhe ata do të paraqiten sot më vonë para Gjykatës Themelore të Prishtinës, Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publikë. Të dëmtuarit janë buxheti i shtetit të Kosovës dhe familjet serbe te Kosovës, autorizimi i të cilëve për të dhënë parcelat e tokave me qira është keqpërdorur nga grupi i organizuar kriminal”, theksohet në njoftim.
Njoftimi thekon se një pjesë e konsiderueshme e parcelave të tokës të përfshira janë sekuestruar përkohësisht me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës më 26 prill 2016. Në radhë të parë, ky proces thuhet se ka për qëllim ta rikthejë tokën në pronësi të pronarëve të ligjshëm publik.
“Rasti përfshin veprat penale të krimit të organizuar; Pastrim parash; keqpërdorim i pozitës zyrtare; falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe dhënie dhe marrje e ryshfetit. Disa të pandehur në hetim janë qytetarë serbë, që jetojnë në Serbi. Gjatë hetimit ka pasur një bashkëpunim efektiv me Zyrën e Lartë të Prokurorit për Krimi të Organizuar në Beograd. Urdhrat për arrest në lidhje me disa të pandehur nuk janë ekzekutuar, pasi që këta të pandehur janë arratisur ose janë jashtë vendit”, potencon zyra për informim e Prokurorit të Shtetit.
“Udhëheqësi i grupit, Azem Syla, deputet i Parlamentit, është në arrati në këtë moment. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të Policisë së Kosovës gjatë dhjetë ditëve të fundit për ta përcaktuar vendndodhjen e Azem Sylës, ai nuk është gjetur dhe i ka ikur administratës”, thuhet në fund të njoftimit për media të Zyrës së Prokurorit të Shtetit.


