Zvarritja e futjes në rend dite në Kuvend e amendamenteve Kushtetuese për Gjykatën Speciale dhe procedimi i Projektligjit për këtë çështje nga Qeveria, po bëhet për shkak se koalicioni qeverisës nuk i ka numrat e mjaftueshëm për themelimin e Gjykatës Speciale. Këtë e kanë thënë për Televizionin Rrokum, zyrtarë të lartë të dy partive në pushtet, PDK-së dhe LDK-së.
Bashkimi Europian, ambasadorët e shteteve të Kuintit dhe shteteve mike të Kosovës, iu kanë dërguar mesazhe liderëve të partive në pushtet, Isa Mustafës e Hashim Thaçit, që të mos vonohen me themelimin e Gjykatës që do të mirret me krimet e pretenduara të UÇK-së.
Por, asnjëri prej dy liderëve të partive politike nuk i po i përfill këto kërkesa.
Para dy javësh Televizioni Rrokum pati raportuar se kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, i janë dhanë dy javë afat t’ bind deputetët e tij që janë kundër kësaj gjykate. E ky afat është drejt fundit.
Zyrtari i PDK-së ka treguar se Thaçi po tregohet indiferent ndaj këtyre zërave, që dita dites po shtohen, për themelimin e shpejtë të Speciales.
Ai ka treguar se Thaçi, ndryshe prej herave të tjera, kur kanë ardhur në Kuvend çështje me rëndësi, ka bërë presion e përpjekje të sigurojë votat e deputetëve, krejt ndryshe po vepron për Specialen.
Sipas zyrtarit të PDK-së, shefi i tyre iu ka thënë shkurt në të gjitha takimet “bani çka të doni. Nëse doni votoni, nëse jo mos e votoni këtë Gjykatë”.
I njëjti zyrtar ka pohuar se as amendamentet kushtetuese e as Projektligji, edhe pse janë gati, nuk do të shkojnë në Kuvend, sepse nuk i kanë numrat për themelimin e Gjykatës Speciale, apo Dhomave të Specializuara
Se koalicioni qeverisës nuk i ka votat pr t’i hapur udhë krijimit të kësaj gjykate, e ka thënë edhe një zyrtar i Lidhjes Demokratike. Sipas tij, gjasat që para deputetëve të vijë shpejt korniza ligjore, janë minimale. Ai fajëson PDK-në që nuk po bën përpjekjet e duhura që t’i sigurojë votat e nevojshme.
Obligimin për themelimin e kësaj Gjykate, Kuvendi i Kosovës e mori para një viti, ku shumica e deputetëve votuan pro. /TV Rrokum/Telegrafi/


