Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përgëzuar institucionet e rendit si edhe organet drejtuese të Kuvendit dhe deputetët e partive në pushtet, për sjelljen e tyre gjatë seancës së fundit.
“Dua ta vlerësoj sjelljen e kulturuar të deputetëve të pozitës, sepse e kanë pasur vështirë të punojnë në një ambient të tillë të rrezikshëm edhe për jetën e tyre”, ka thënë Mustafa.
Ai ka përgëzuar edhe punën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili “e gjeti mënyrën që në harmoni me rregulloren dhe ligjin të vazhdojë puna e Kuvendit”, transmeton REL.
“Me këtë është dëshmuar se Kuvendi mund të funksionojë, koalicioni është stabil, kurse ne si Qeveri do të vazhdojmë bashkëpunimin”, ka theksuar Mustafa, i cili i bëri thirrje edhe opozitës që të kthehet dhe të vazhdoj punën duke respektuar ligjet dhe rregulloren e punës së Kuvendit.


