Kryeministri Isa Mustafa i është përgjigjur Elona Kastratit, aktiviste për barazi gjinore, që ndërmori aksionin me mesazhin “Trimëria nuk njeh gjini”.
Në mesazhin që e e kishte shkruar në peceta higjienike të ciklit menstrual, ajo tentoi t’i bëjë thirrje kreut të Qeverisë që të mos i diskriminojë gratë me fjalë patriarkale.
LEXO PO ASHTU: Elona Kastrati: Kryeministër, trimëria nuk lidhet me gjini!
Mustafa, në profilin e tij në Facebook, i është kundërpërgjigjur në këtë mënyrë asaj:
“Një vajze shqiptare që jeton në Gjermani, Elona Kastrati, e cila më ishte drejtuar sot, po i përgjigjem.
Pajtohem plotësisht me Elona Kastratin, se trimëria nuk ka gjini. Por sigurisht se do të pajtohet Elona me mua se sulmi ndaj shtëpisë dhe pronës private, nuk është trimëri as e burrave dhe as e grave.
Meqenëse Elona jeton në Gjermani, ajo e di se prona private është e paprekshme, është e shenjtë. Ndryshe nuk është trimëri të sulmohet një shtëpi nga një grup meshkuj e gra, djem e vajza, as në emër të protestës e as të trimërisë, sepse në shtëpi ka fëmijë të vegjël të cilët nuk e kuptojnë trimërinë dhe guximin e atyre që i atakojnë. Nuk mund ta kuptojnë as prindërit e tyre, nuk e lejon ligji.
Gra e burra, vajza e djem keni të drejtë të tregoni mençuri, guxim e trimëri në institucione,në shkolla e fakultet, e jo ndaj familjeve dhe pronave private. Nuk është trimëri dhe mençuri as të shkatërrohet prona publike, e cila është krijuar me djersën e qytetarëve tanë. Të gjitha këto trimëri i ka rregulluar ligji”, ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/


