Vajza misterioze që shfaqet në më shumë se 100 fotografi të vjetra të qytetit rus Krasnoyarsk, ka tërhequr vëmendjen e opinionit rus por edhe botëror, për shkak se në çdo fotografi shfaqet në të njëjtë pozë.
Edhe pse pothuajse kurrë nuk është në fokusin e fotografive, nëse shikohet me vëmendje mund të vërehet se ajo shfaqet në më shumë se 100 fotografi, transmeton Telegrafi.
Ajo kryesisht shfaqet në fotografitë e qytetit Krasnoyarsk, por supozohet se fotografitë datojnë që nga mbretëria e Perandorit Nikolla II, pra, para revolucionit bolshevik.
.jpg)
Disa nga këto fotografi janë përdorur si kartolina të qytetit Krasnoyarsk. Përndryshe, në shikim të parë, kjo vajzë e vogël duket se vjen nga një familje e pasur, por gjithmonë me të njëjtën pozë.

Të gjitha këto fotografi gjenden në muzeun rajonal në Krasnoyarsk, kurse udhëheqësit e këtij muzeu kanë filluar të hulumtojnë për identitetin e vajzës, për të cilën besohet se ka qenë e moshës mes 8-10 vjet.

Në një nga teoritë, thuhet se kjo vajzë së bashku me familjen është dëbuar nga Rusia, pasi i përkiste një klase më të lartë shoqërore, kurse dihet se gjatë komunizmit shumë familje të pasura kanë emigruar në Perëndim apo Shtetet e Bashkuara.
Përndryshe, pothuajse në çdo fotografi vajza shfaqet me të njëjtën pallto me vija, duke mbajtur gjithmonë në duar një ombrellë të vogël.

Një nga fotot e rralla ku vajza është në fokus të fotografisë, është ajo kur është fotografuar në kulm, kurse në sfond shihet një urë hekurudhore në qytetin Krasnoyarsk. Supozohet se fotografitë janë shkrepur në periudhën me 1906-1908.

Derisa në shikim të parë duket se vajza shfaqet në të gjitha fotografitë me të njëjtat rroba, Elia Kuklinski punonjës i muzeut, thotë se një ekzaminim i detajuar i fotografive ka konstatuar se kjo nuk është e vërtetë.
“Por nëse shikoni më mirë, mund ta kuptoni se në fotografi ajo ka të mbathura çizme dhe çorape të ndryshme, kurse fustani nën pallto është gjithmonë e ndryshme”, ka shtuar Kuklinski. /Telegrafi/


