Jahjaga: Kosova, shembull për rajonin për qasjen ndaj sfidave

PUBLIKUAR

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim një delegacion nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, i cili kryesohej nga nënkryetarja e këtij parlamenti, Ulrike Lunaçek. Jahjaga tha se Kosova është shembull për gjithë rajonin për qasjen që ka treguar ndaj sfidave globale, siç është ekstremizmi dhe radikalizmi.

Presidentja Jahjaga e njoftoi këtë delegacion me zhvillimet e përgjithshme në vendin tonë, me theks në proceset dhe reformat që janë duke u zhvilluar e që ndërlidhen me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Presidentja Jahjaga tha para deputeteve evropianë se sfidat e Republikës së Kosovës janë të ngjashme me ato të të gjitha vendeve të rajonit që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian dhe theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për tejkalimin e tyre dhe krijimin e kushteve më të mira për jetë për të gjithë qytetarët.

Jahjaga theksoi angazhimin e institucioneve të Kosovës për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, vendosjen e rendit dhe ligjit, duke konstatuar se Kosova është shembull për gjithë rajonin për qasjen që ka treguar ndaj sfidave globale siç është ekstremizmi dhe radikalizmi.

Presidentja Jahjaga me deputetët evropianë bisedoi edhe për procesin e dialogut me Serbinë, ku edhe një herë ritheksoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura në këtë proces, pasi që vlerësoi se ka ngecje në zbatimin e tyre në praktikë.

Ajo rikonfirmoi qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet fqinje, përfshirë këtu edhe Serbinë.

Duke folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, Presidentja Jahjaga theksoi se vendimi për krijimin e kësaj force është bërë pas rishikimit të sektorit të sigurisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n.

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek dhe anëtarët e tjerë të delegacionit nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, shprehën mbështetjen e vazhdueshme të këtij institucioni për perspektiven e qartë evropiane të Kosovës.
Ata çmuan lart rolin e Presidentes Jahjaga në krijimin e imazhit shumë pozitiv të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe kontributin e saj në zhvillimet brenda vendit. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Numërimi i votave në përfaqësitë diplomatike, procesohen 13 nga 47 vendvotime

Ka nisur numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga 30 përfaqësi diplomatike...

Driton Selmanaj: Duhet konsensus nacional kundër kujtdo që refuzon hyrjen e Kosovës në projektin amerikan të gazit

Kandidati për deputet i LDK’së, Driton Selmanaj, ka shkruar sot lidhur me kërkesën e...

Komandanti i KFOR-it flet për sigurinë në Kosovë: Nuk ka kërcënime të drejtpërdrejta

Në një intervistë ekskluzive për “Përballje Podcast” në Telegrafi, komandanti i KFOR-it në Kosovë,...