Ish-kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Lipjan, Vehbi Gajtani, ka deklaruar se ish-imamin e Janjevës, Shemsi Gajtani, e kishte suspenduar pasi dyshimeve se ai kishte keqpërdorur paratë për therjen e kurbanëve.
Një deklaratë të tillë, ish-kreu KBI-së në Lipjan, e ka dhënë në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Shemsi Gajtani po akuzohet për keqpërdorim të besimit.
Dëshmitari Vehbi Gajtani, ka deklaruar se gjatë periudhës 2013, kishte marrë vendim që të suspendonte Shemsi Gajtanin nga detyra e imamit të fshatit Janjevë, pasi kishte pranuar disa ankesa dhe pakënaqësi nga disa banorë të këtij fshati, lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e të hollave të destinuara për therjen e kurbanëve.
Ai ka thënë se me banorët e pakënaqur të Janjevës kishin arritur edhe një marrëveshje gojore që kjo situatë të kalonte pa u vënë re, ndërsa si kusht i parashtruar nga ana e banorëve ishte largimi i Shemsi Gajtanit nga detyra e imamit të fshatit, qoftë edhe për një periudhë më të shkurtër kohore.
“Po është e vërtetë që jemi takuar me Beqir Berishën dhe dy persona tjerë dhe kemi arritur një marrëveshje që të mbyllet ky rast, mos të bohet më e madhe, të pajtohen mes vete. Por, nuk ka funksionuar ajo marrëveshje sepse ditën e nesërme dikush i ka sjell gazetarët e Kohës Ditore”, ka thënë dëshmitari Vehbi Gajtani.
Sipas Gajtanit, nga njohuritë që ai ka për rastin në fjalë, rezulton se bëhet fjalë për katër kurbanë me vlerë 400 euro, të cilët dyshohet se janë keqpërdorur nga tani i akuzuari, Shemsi Gajtani.
“Por ma ka thonë një qytetar i Janjevës, me nacionalitet kroat Jaka Daminko, i cili m’ka tregu se i ka ndihmuar Shemsiut dhe i njëjti edhe ia kishte sjell kurbanat prej pazarit të Jabllanit. Pastaj, unë i kam pyet disa persona, dhe m’kan thonë që disa kurbana janë pre, duke e konfirmuar se kanë marrë mish”, tha Gajtani.
Sipas tij, e vetmja mangësi është që mjetet financiare për therjen e kurbanëve nuk janë derdhur në llogarinë e Bashkësisë Islame.
Lidhur me këtë, ai tha se kishte kërkuar llogari nga tani i akuzuari, Shemsi Gajtani, i cili i ishte përgjigjur se kishte provuar t’i dërgojë të hollat për prerjen e kurbanëve, por nga KBI në Lipjan kishte marrë informatën se ishte mbyllur afati për pagesë, pasi ishte plotësuar numri i kurbaneve.
Në fund, dëshmitari Gajtani deklaroi se sipas rregullave islame nuk ishte e ndaluar që prerja e kurbanëve të bëhet edhe jashtë organizimit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe se lejohet prerja sipas porosive, ku sipas e tij, e rëndësishme me atë rast është “nijeti, therja dhe derdhja e gjakut”.
Po ashtu, në gjykimin e së hënës, e ka dhënë dëshminë e tij edhe dëshmitari Kenan Bahtiri, njëherësh arkëtar i KBI-së në Lipjan, shkruan betimipërdrejtësi
Sipas Bahtirit, gjatë vitit 2013, kishte pranuar një telefonatë nga tani i akuzuari Shemsi Gajtani, lidhur me mundësinë e deponimit të mjeteve financiare për therjen e kurbanëve, duke shtuar se atij i kishte dhënë përgjigjen negative duke i thënë se afati për pranimin e mjeteve financiare të destinuara për këtë qëllim ishte mbyllur.
Ai ka thënë se për çdo pagesë që bëhet për therjen e kurbanëve, personit që paguan i lëshohet një kupon nga blloku financiar të cilin e posedon arkëtari dhe e veçanta e kësaj është se çdo kupon posedon një numër serik të veçantë.
Po ashtu, ai ka thënë se në fshatin Janjevë kishte pasur mosmarrëveshje lidhur me therjen e kurbanëve, pasi disa banorë kishin paraqitur shqetësimet e tyre nëse kurbanet ishin paguar dhe ishin therur, nga tani i akuzuari Shemsi Gajtani.
Ai ka shtuar se vetëm arkëtari disponon me kuponët financiarë dhe është në përgjegjësinë e tij pajisja me kuponë për çdo pagesë që bëhet për therjen e kurbanëve.
Sipas tij, imamët nuk posedojnë kuponë të tillë dhe nuk kanë poseduar asnjëherë.
Seanca e radhës, është caktuar për 19 dhjetor 2018, me fillim nga ora 09:30.
Ish-imami i fshatit Janjevë, Shemsi Gajtani fillimisht akuzohej për veprën penale të mashtrimit në detyrë, por në seancën e mbajtur më 19 korrik të vitit 2018, ndaj tij ishte bërë ricilësimi i veprës penale në atë të keqpërdorimit të besimit.
Ricilësimin e kësaj vepre penale e kishte bërë prokurori Feti Tunuzliu, në atë seancë ku po zëvendësonte prokuroren e rastit, Dulina Hamiti, e cila gjendej në pushim vjetor.
Prokurori Tunuzliu, kishte thënë se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës para këtij shqyrtimi, ka gjetur se i pandehuri nuk mund të ketë cilësinë e personit zyrtar.
Si pasojë e kësaj, sipas tij, rrethanat tjera që janë përshkruar në dispozitiv të aktakuzës konsideron se korrespondojnë me elementet e veprës penale “keqpërdorimi i besimit”, nga neni 343 par 2 lidhur me par 1 të KPK-së.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 28 prill të vitit 2014, i pandehuri Shemsi Gajtani, si imam i xhamisë së Janjevës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka prezantuar rrejshëm kuponët e pagesave të cilët kishin paguar nga 100 euro për kurban, me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Sipas aktakuzës, i akuzuari u kishte dorëzuar kuponë në vlerë të njëjtë prej 100 euro, Avdullah Kongjelit, Lutfi Bikliqit, Haxhi Esat Bislimit, si dhe Naim e Mentor Bislimit.
Sipas aktit akuzues, të gjithë kuponët e lëshuar nga ai kanë pasur numrin e njëjtë serik dhe kanë qenë të lëshuar në fotokopje. Aktakuza thotë se i akuzuari u ka lëshuar së paku edhe pesë personave të tjerë kuponë të njëjtë në emër të po atyre pagesave të cekura më lartë, të cilët nuk i kanë ruajtur të njëjtat dhe për këtë arsye për shumat e tjera nga ana e prokurorisë i akuzuari nuk është ngarkuar. Sipas aktakuzës, i pandehuri thotë se këta kuponë i kishte lëshuar me pretekstin që nuk ka pasur kuponë të tjerë.
Artikull nga : https://betimiperdrejtesi.com/ish-kryetari-i-kbi-se-ne-lipjan-me-banoret-e-janjeves-u-pajtuam-qe-te-heshtet-rasti-i-imamit-te-fshatit-qe-dyshohej-se-keqperdori-parate-e-kurbaneve/


