(Përditësuar, ora 13:29)- Pas dy ditësh e gjysmë dëshmi, ka përfunduar dëshminë dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Ramiz Qeriqi në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në fund të dëshmisë, dëshmitari u mor në pyetje nga trupi gjykues, saktësisht gjyqtarët Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari tha se në mes të gushtit 1998 është emëruar zyrtarisht si komandant i Batalionit, por që këtë funksion e ushtronte edhe më herët.
“M’u ka dhënë me shkrim vendimi. Ndërsa, edhe më herët, batalioni ka funksionu si batalion. Por, në këtë kohë m’u ka dhënë me shkrim”, tha ai.
Dëshmitarit iu prezantua edhe rregullorja që supozohet që është e policisë ushtarake e cila është nënshkruar nga Haxhi Shala, në të cilën sipas trupit gjykues thuhet se ata kanë të drejtë të ekzekutojnë, arrestojnë edhe komandantët e batalionit, në rast të shkeljes së rregullores.
Qeriqi tha se fjala ‘ekzekutoj’ e përdorur në atë dokument nuk është fjalë e mirë dhe nuk i kujtohet nëse ka pasur raste të tilla diku gjatë kohës sa ka shërbyer në luftë.
“Po tash masi e lexut ju, me ra në sy, jo fjalë e drejtë, jo fjalë e mirë. Nuk e di që kanë ekzekutu dikun. Nuk e di pse e kanë shkru këtu, duhet me e pyet Haxhiun jo mua, fjalë e keqe. Të ekzekutohet, s’kam përgjigje, po më çuditë pse e kanë shkru këtu. Policia ka të drejtë të arrestojë është… pytne Haxhiun”, tha dëshmitari.
Qeriqi shtoi se fjala ‘ekzekutoj’ e ka kuptimin që “të eleminoj”.
Ndërsa, sa i takon çështjes së bashkëpunëtorëve me Serbinë, Qeriqi tha se asnjëhrë nuk është diskutuar në mbledhjet javore në nivel brigade.
Qeriqi u mor në pyetje edhe nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq e po ashtu edhe nga ai i Veselit, Ben Emmerson.
Mishetiq pyeti dëshmitarin lidhur me deklaratën e tij për anëtarët e LPK-së dhe funksionet e tyre në udhëheqjen e UÇK-së.
“Kryesorët në LPK, Azem Syla, Xhavit Haliti janë kryesorët në UÇK që janë të LPK-së. Unë kur e kam thënë këtë ka qenë realiteti se nuk kam dashtë me i hup vlerat e LPK-së për luftën. Nuk e kam thënë për të keq, por për të mirë. Le të dihet botërisht se anëtarët e LPK-së e kanë bërë këtë organizim”, tha dëshmitari.
Ndërsa, për përzgjedhje e vullnetarëve dhe gjasave që të ketë dyshime për ndonjërin prej tyre si bashkëpunëtor, dëshmitari tha se nuk i ka ndodhur asnjëherë të ketë dyshime ose ta largojë dikë nga ushtria.
“S’ka ndodhë asnjëherë që me me ardhë dikush që ka qenë i dyshimtë. Të gjithë çka kanë ardhë i kam pranu, e kam librin Amëz se kush ka qenë. Asnjëherë nuk ka ndodhë qe me e largu dikë, s’e kam largu askënd. Ata që kanë ardhë i kam pranu”, tha Qeiriqi.
Dëshmitari theksoi se bashkëpunëtorët e Serbisë nuk kanë ardhë në UÇK, por kanë ardhë ata që kanë dashur ta çlirojnë vendin.
Ramiz Qeriqi u pyet nga Emmerson në emër të klientit të tij lidhur me një takim që vetë ai kishte thënë se kishte ndodhur në mes Azem Sylës, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Ram Bujes dhe Veselit.
Emmerson tha se Veselit nuk i kujtohet se ka ndodhur ky takim. Ndërsa, dëshmitari insistoi në deklaratën e tij duke thënë se ai ka qenë i pranishëm, por që nuk ka folur në takim.
Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues njoftoi se sesioni i pasdites i kësaj seance do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit të 56-të të ZPS-së në këtë proces, por që sipas tij ai është me masa mbrojtëse.
Dëshmitari Qeriqi pyetet për takimet me ish-krerët e UÇK-së si dhe për funksionet e tyre
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari Ramiz Qeriqi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në fillim të seancës, kundërpyetjet për dëshmitarin është duke i parashtruar mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit Aiden Ellis.
Gjatë përgjigjeve të tij, dëshmitari tha se kishte parë vetëm një herë Jakup Krasniqin në Krojmir, pra zona në të cilën udhëhiqte vetë ai në batalionin e dytë të Brigadës 121, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Qat ditë, tjera ditë se kam pa. Për shkak se ushtarët kur e kanë pyet nuk kanë pas leje deri e kanë pa se kush është, ua kam spjegu. Tjera ditë nuk me kujtohet. Ka mujtë me qenë po se kam pa”, tha dëshmitari.
Pas kësaj, dëshmitari është pyetur edhe nga prokurorja Silvia D’Ascoli e cila u fokusua tek disa urdhra që pretendohet se janë dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për komandantin e brigadës.
Dëshmitari tha se nuk i kishte parë asnjëherë këta urdhra mirëpo, kur i kishte prezantuar Fatmir Limajt tek ushtarët, ai tha se ka menduar që po i thotë vetë.
“Në bazë të dokumentit nuk e ka thanë vetë, por paska marrë urdhra. Unë se kam besu atëherë. Kam mëndu se po e thotë vetë”, tha dëshmitari.
Pas prokurorisë, pyetje për dëshmitarin pati edhe trupi gjykues i përfaqësuar fillimisht nga Christoph Barthe. Ai e pyeti dëshmitarin se pse anëtarët e LPK-së kanë marrë pozita udhëheqëse në luftë.
“Këta e kanë udhëheq luftën. E organizuan hyrjen brenda në luftë. Na mundësuan neve me hy. Se di si ta shpjegojë ndryshe më mirë”, u përgjigj dëshmitari Qeriqi.
Ndërsa, për vetën, ai tha se ka qenë vetëm vullnetar.
“Kam qenë ni vullnetar, sa kam qenë në Gjermani kam marrë pjesë në tubime informative për UÇK-në, por nuk kam qenë anëtarë (LPK)”, tha ai.
Për Hashim Thaçin, Ramiz Qeriqi tha se nuk i kanë ditur funksionin e tij, por që më vonë e ka kuptuar që ka qenë staf politik në Shtabin e Përgjithshëm.
“Nuk i kemi ditë pozicionet e tyre. Por me vonë e kemi kuptu që ka qenë politik në Shtabin e Përgjithshëm dhe ka marrë pjesë në Rambuje. Atë kohë nuk e kemi ditë pozitën e saktë, por mas lufte e kemi kuptu. Për Azem Sylën e kemi ditë që ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm”, tha dëshmitari.
I pyetur se a e kishte parë Thaçin që të jepte urdhra ose udhëzime ndaj anëtarëve të UÇK-së, dëshmitari e mohoi një gjë të tillë.
“Jo, jo. Ju, lutem jo. Me përjashtim, atëherë kur ka qenë në Krojmir. Unë nuk kam pas pjesë as me Shtabin e Përgjithshëm as me zonën përveç deri në brigadë”, tha Qeriqi.
Ndërsa, për takimet rastësore me Thaçin, Qeriqi tha se ka pasur vetëm rroba civile, por që nuk kanë qenë mbledhje
“S’ka marrë pjesë në mbledhje, por në takimet e rastit që kanë qenë dhe njëherë që ka ardh në Krojmir. Për këto raste, jo në mbledhje”, tha ai duke shtuar se në Krojmir nuk i kujtohet saktë se çfarë ka pasur veshur.
Se ku e bazon përshkrimin se Selimi ishte kryesori në UÇK gjatë periudhës mars-prill 1998, dëshmitari tha se nga udhëzimi që ia kishte dhënë Azem Syla.
“Azem Syla me ka drejtu drejtë tek Rexhep Selimi. Ne, kemi shku aty. E kam kuptu se e kam marrë udhëzim nga Azem Syla tek Rexhep Selimi dhe pastaj jemi nda ku na kanë qu, prandaj, e kam ditë që ishte 1-shi. Unë jam drejtu në bazë të asaj që me ka drejtu Azem Syla tek Rexhep Selimi. Unë e kam ditë që ai është një udhëheqës që me u drejtu të Rexha që pastaj ai me na nda. Unë se kam ditë pozitën e tij”, tha dëshmitari.
Ndërsa, për Jakup Krasniqin dhe Fatmir Limajt, tha se rolin e tyre e ka kuptuar përmes asaj që ishte bërë publike në media.
“Përmes mediave, përmes publikut kur ka dal me fol vetë. Kur kanë fol tjerët dhe përmes mediave se unë se kam taku. (Për Fatmir Limajn) Si anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm, tjetër s’kam degju. Nuk e di për pozitë, tamam se di…Kam thanë që e ka pozitën me të lartë se unë. Unë i kam raportu atij e ai me ka thanë me raporton mua e unë në Likoc”, tha Qeriqi duke shtuar se kur flitej për Likocin bëhej fjalë për institucion dhe jo individë.
Për Kadri Veselin, dëshmitari tha se është takuar vetëm njëherë në Krojmir gjatë periudhës maj-qershor 1998 dhe se bashku kanë kriju pozicione mbrojtëse kundër forcave serbe.
“Ka qenë vetëm në vizitë atëherë Kadria dhe jam kanë tu i ba pozicionet, tu i gjetë, me ka ndihmu ku me i ba pozicionet. Kemi bisedu dhe kemi vendos dhe e kam përmend që kemi pas sukses prej atyre pozicioneve”, tha ai duke shtuar se në atë kohë flitej se Veseli ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.
Për me vonë, Ramiz Qeriqi tha se ka mëndu që Kadri Veseli ka qenë në shërbimin informativ të UÇK-së.
“Ma vonë kemi mëndu që ka qenë në shërbim informativ, aty a ku ta di. Në atë kohë, jo se kam ditë…Siç kam thanë edhe këtu, mbas luftës kam mëndu se ka qenë në atë pozitë. Atë kohë, se kam ditë”, tha dëshmitari.
Duke u kthyer sërish tek Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, dëshmitari tha se ia ka dhënë një “Mercedes” në fund të 1998 që të lenin përshtypje të mira kur të dilnin në publik.
“Nuk e di mujn e saktë, 98-ën është. Mund të jetë shtator-tetor mund të jetë. Këtë makinë ma ka dhënë dhuratë një qytetarë i fshatit Caralevë, në pension është. Në atë kohë nuk ka qenë personale e imja se e ka dhënë në emër të luftës. Kanë mujtë me e marrë kerrin edhe pa me pyet mua edhe pa urdhër. Ka qenë makinë e mirë në atë kohë. Kam thënë që ia kam dhënë se ka qenë dhuratë nga një bashkëqytetarë”, tha ai.
Sipas tij, nga mediat e ka kuptuar që pozita e Jakup Krasniqit ka qenë si zëdhënës i UÇK-së në Shtabin e Përgjithshëm.
“Kur kanë dal publike nëpër media e kam kuptu. Për Jakupin e di që zëdhënës ka qenë, për Fatmirin se kam ditë kurrë çfarë pozite ka pas. Vetëm ato publike se nuk di më shumë”, tha dëshmitari duke shtuar se nuk ka njohuri nëse kishte ndonjë pozicion tjetër përfshirë edhe pozitën si zëvdëskomandant”, tha ai.
Ndryshe, dëshmitari ka filluar dëshminë të hënën më 22 prill, ku sipas prokurorisë ka qenë komandant i batalionit të dytë në Brigadën 121 në Zonën e Pashtrikut.
Vlen të theksohet se gjatë transmetimit ka pasur vazhdimisht probleme teknike gjatë paradites së sotme.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.


