Imri Ahmeti: Qeveria “Haradinaj” ia ka kthyer shpinën Lipjanit

PUBLIKUAR

Sipas kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmeti, komuna që udhëheq ai nuk po gjen pothuajse fare mbështetje nga qeveria “Haradinaj”. Për më tepër e akuzon se ka stopuar projektet që kanë qenë të parapara të realizohen në këtë qytet, ku përmend disa prej tyre.

Ai thotë se Lipjani ka nevojë për përkrahje dhe niveli qendror duhet të ndajë buxhetin për komunat sipas numrit të banorëve.

Ahmeti në një intevistë për Gazeta Lajm (www.gazetalajm.com) tregon se cilat janë problemet kryesore të kësaj komune, projektet madhore që ka realizuar, ato që synon t’i jetësojë deri në fund të mandatit dhe çështje tjera.

 

Gazeta Lajm: Sa gjeni kohë të takoheni me banorët e komunës suaj dhe të mësoni brengat që ata kanë? Pra keni ndarë ndonjë kohë që t’i pritni apo jo në komunë?

Imri Ahmeti: Në fakt jam çdo ditë në komunikim me qytetarët, jam mjaft i socializum me brengat ose kërkesat e tyre qoftë në zyrën time, qoftë gjatë vizitave të ndryshme në teren, qoftë gjatë dëgjimeve publike, buxhetore, gjatë konsultimeve të ndryshme sa herë të jetë e nevojshme.

Gazeta Lajm: Cilat janë problemet më të mëdha që ata ju adresojnë? Dhe në përgjithësi cilat janë problemet më të mëdha që aktualisht ka Lipjani?

Imri Ahmeti: Padyshim  çështjet më të shpeshta të adresimit nga ana qytetarëve janë papunësia, mirëqenia sociale, zhvillimi ekonomik, problemet në infrastrukturë etj.

Gazeta Lajm: Ç’projekte të mëdha keni realizuar nga koha që keni marrë postin e kreut të Lipjanit, për çka do mbaheni mend si kryetar?

Imri Ahmeti: Ka shumë projekte që ja vlen të përmend që janë realizuar gjatë katër vjeçarit të kaluar por edhe të këtij viti që tani po e lëmë pas.

Po përmendi disa prej projekteve të realizuara siç janë: ndërtimi i sheshit “Adem Jashari”, në qytetin e Lipjanit, ndërtimin e stadiumit të qytetit , ndërtimi i 7 objekteve shkollore dhe tri në proces të ndërtimit, ndërtimi 7 sallave sportive, 28 fushave të hapura sportive, asfaltimi i rrugëve, ndërtimi i kanalizimeve, trotuareve, ndriqimi publik etj. Për herë të parë në qytetin e Lipjanit janë vendosur semaforët, është bërë vendosja e bus stacioneve, janë krijuar hapësira të gjelbëruara janë mbjellur mbi 800 pemë dekoruese në qytet, janë ndërtuar dy parqe në qytetin e Lipjanit e shumë projekte të tjera që kanë pasur impakt në jetën qytetarit lipjanas.

Gazeta Lajm: Cilat janë prioritetet e juaja, në cilat fusha do të punoni deri në fund të mandatit, projektet më madhore që synoni t’i jetësoni?

Imri Ahmeti: Ne do të vazhdojmë me një dinamikë  edhe më të shtuar në realizimin e shumë projekteve që kemi të planifikuara, do të investojmë në të gjitha fushat. Përveç investimeve në arsim dhe hapësirat shkollore duke e kompletuar gjithë infrastrukturën e nevojshme të objekteve shkollore, do të  investojmë në ndërtimin e rrugëve, trotuareve me ndriçim publik si dhe hapësirave të gjelbëruara të cilat do të kenë vëmendje të veçantë, do të rrisim investimet në bujqësi dhe segmentet e tjera.

Vitin e ardhshëm do të realizojmë edhe disa projekte të rëndësishëm për qytetarët lipjanas me ç’rast do të bëhet dislokimi i të dy tregjeve atij të gjelbër ku do të krijohet një ambient i ri për shitësit dhe blerësit tonë pra do të përfundohet ndërtimi i tregu i gjelbërt,  gjithashtu tregu i kafshëve do të ketë një lokacion të ri dhe një hapësirë më të përshtatshme për tregtim. Shtrati i lumit Sitnica do të ndërtohet bashkë me kolektorin e ujërave të zeza,  do të fillojmë  me ndërtimin e një palestre  sportive me standarde të larta në pronën ku është aktualisht tregu i kafshëve.

Do të përfundoj çerdhja e fëmijëve në Lipjan, do fillojmë me ndërtimin e objektit të ri të administratës komunale, fasadimin e objekteve shume banesore me projektet e efiqiencës në Lipjan,  dhe projekte te tjera sipas agjendës buxhetore.

Gazeta Lajm: Në shumë komuna të vendit opozita po akuzon pushtetin për ndërhyrje në arsim, konkretisht politizim të sistemit arsimor. Akuza të tilla ka pasur edhe në komunën tuaj. Sa qëndrojnë ato?

Imri Ahmeti: Tani më sikur është krijuar shprehi e opozitarizmit në funksionimin e demokracisë në vendin tonë për të atakuar edhe pa fakte pushtetet dhe angazhimet opozitare nuk zhvillohen duke ndërtuar alternativa qeverisëse por kryesisht mbi bazën e akuzave të pa argumentuara dhe të pabazuara tërësisht. Janë në zbatim normat ligjore dhe çdo mospërfillje e udhëzimeve ligjore mund të atakohen në organet kompetente. Prandaj konsideroj krejtësisht çështje politike vlerësimet e tilla opozitare.

Gazeta Lajm: Po gjendja në shëndetësi, kulturë e fusha tjera si është? Sa është investuar?

Imri Ahmeti: Gjatë këtij viti kemi rinovuar në tërësi objektin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan duke përfshirë edhe atë të urgjencës i cili tashmë ka marrë një pamje të re,  po ashtu në bashkëpunim  me AQH  është investuar në repartet e QKMF-së dhe  në pajisje të ndryshme mjekësore si: karrige stomatologjike dhe pajisje tjera laboratorike, po ashtu kemi siguruar edhe barnat nga listat esenciale të cilat nuk i ka mbuluar Ministria e Shëndetësisë etj.

Përfundimisht ka avancime në sistemin e mjekësisë dhe do të vazhdojmë t’i kushtojmë vëmendje të veçantë duke ngritur përgjegjësinë dhe efikasitetin në shërbime, po ashtu në vitin e ardhshëm janë planifikuar investime shtesë në infrastrukturën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan por duke mos i anashkaluar edhe QMF-të dhe AMF-të.

Gazeta Lajm: Në nivel vendi qeveria nuk udhëhiqet nga partia prej së cilës vini ju, pra LDK-ja, por nga AAK-ja dhe kreu i saj Ramush Haradinaj. Po ju përkrah apo ju ka kthyer shpinën qeveria aktuale?

Imri Ahmeti: Qeveria qendrore duhet të ndajë buxhetin për komunat sipas numrit të banorëve. Edhe  Komuna e Lipjanit ka nevojë për fondet e qeverisë qendrore.

Nuk jemi të kënaqur me projektet që komuna e Lipjanit ka përfituar nga niveli qendror edhe ato të cilat kanë qenë të planifikuara për komunën e Lipjanit  nuk janë zhvilluar nga Qeveria aktuale.

Gazeta Lajm: Cilat projekte konkretisht ju ka anuluar të cilat kanë pasur të ndërtohen në Lipjan dhe ç’apel keni për kryeministrin?

Imri Ahmeti: Është lehtë të verifikohet duke shikuar buxhetin për vitin 2018 dhe duke parë se çka është implementuar nga ajo që është buxhetuar dhe aprovuar ne buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.

Gjatë vitit 2018 janë ndërprerë punimet në disa projekte të nivelit qendror të cilat kanë qenë në implementim e sipër siç është rreth rrotullimi tek Banulla, rruga nga rreth rrotullimi i Banullës deri tek qyteti i Lipjanit, Zona Ekonomike në Kerqevë. Gjithashtu edhe projekte të cilat kanë qenë të buxhetuara në buxhetin e vitit 2018 dhe nuk janë zhvilluar fare ose janë stopuar nga niveli qendror.

SHIKO MË SHUMË

Gjendet i vdekur në shtëpinë e tij një burrë në Janjevë

Një burrë është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së dielës në Janjevë. Policia ka...

Burri rrahu gruan dhe vajzën në Lipjan, më pas u arratis

Një rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur në Lipjan, ku burri...

Vrasje në tentativë në Brus të Lipjanit, e gjuajti me armë zjarri dhe u largua, i lënduari mori tretman mjekësor

Një vrasje në tentativë ka ndodhur dje pasdite në Brus të Lipjanit. Atje një burrë...