Pas nënkryetarit të LDK-së , Haki Rugova i cili nuk ka përjashtuar mundësinë e diskutimit për koalicionin me PDK-në në mbledhjen e sotme të Kryesisë së LDK-së, ka folur edhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.
Ahmeti ka konfirmuar për politiko.net se ridizajnimi i Marrëveshjes me Bllokun do të mund të jetë një nga temat e takimit të sotëm të Kryesisë.
“Nuk e di çka kemi në agjendë akoma, para se të shkojmë në mbledhje. Megjithatë, kjo mund të jetë një nga temat e takimit. Në fakt, unë mendoj se nëse është e nevojshme të ndodhë ridizajnimi, atëherë duhet të shkohet në këtë drejtim.
Për mua është e rëndësishme, e përgjithshmja, interesi kolektiv i qytetarëve të Kosovës dhe individualja duhet të jetë në kuadër të kolektivës”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka theksuar se absolutisht nuk është i rëndësishëm emri apo subjekti, por e rëndësishme është të ndërrohet kjo qeverisje dhe të vijë dikush nga ana e partive të Bllokut në pushtet.
“Tani për tani nuk e mbështes një ide për koalicion LDK-PDK. Absolutisht jam kundër kësaj ideje, sepse e kemi provuar si model këtë qeveri dhe nuk guxojmë ta përziejmë këtë model”, ka deklaruar Ahmeti./Politiko.net/
——–
Nënkryetari i LDK-së Haki Rugova nuk e ka përjashtuar mundësinë e diskutimit në mbledhjen e sotme (urgjente) të Kryesisë së LDK-së që do të mbahet në ora 16h, koalicionin me PDK-në.
Rugova i pyetur nga Botapress, se për çfarë do të diskutohet në takimin e sotëm të Kryesisë së LDK-së, dhe a do të jetë në agjendë edhe çështja e koalicionit me PDK, ai është përgjigjur: “Nuk mund të spekuloj, kjo pyetje mund të bëhet pas takimit të sotëm. Në parim në Kryesi ne merremi vesh për temat se çfarë do të diskutojmë , pra do të diskutojmë për të gjitha çështjet “.
Mbledhja e Kryesisë së LDK-së e thirrur sot në ora 16h do të jetë e rëndësishme jo vetëm për veprimet e mëtutjeshme të LDK-së por edhe për proceset e ndërtimit të institucioneve të vendit në ditën në vijim.
Siç dihet zyrtarë të lartë të LDK-së, përfshirë edhe vetë liderin e saj Isa Mustafën janë shprehur për mundësinë e rikonfigurimit të Marrëveshjes së LAN-it dhe mundësinë e drejtimit të Qeverisë nga LDK-ja dhe Isa Mustafa./infodirekt/