Haradinaj propozon që paga minimale të caktohet 239 euro

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Kishte 487 kg duhan kontrabandë, një person ik në drejtim të Maqedonisë së Veriut kur sheh policinë

Policia kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dje në fshatin Krivenik...

Raportohet një rast dhunë në familje në Lipjan

Policia Kosovës ka njoftuar se viktima femër shtetase e huaj ka raportuar se ka...

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka deklaruar dje se paga minimale në sektorin privat duhet të rritet në 239 euro. Këto komente i pari i Qeverisë i ka bërë dje gjatë interpelancës në Kuvend, shkruan Gazeta “Zëri”.

“Këshilli Ekonomik Social ia propozon Qeverisë pagën minimale. Ne e kemi pasur një propozim më herët, por nuk kemi marrë vendim për disa arsye. Një nga to ka qenë se Këshilli nuk ka pasur kuorum. I kam kërkuar ministrit emërimin e anëtarëve të Bordit dhe fuqizimin e këtij Këshilli. Këshilli që nga dita e nesërme mund t’ia propozojë Qeverisë pagën minimale. Qeveria javën tjetër mund të marrë vendim. Si kryetar i Qeverisë e kam menduar koeficientin 1, pra pagën 239 euro”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë më tej se si Qeveria i ka marrë disa veprime, të cilat do ta mundësojnë edhe rritjen e koeficientit të pagave. “Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se heronjtë ekonomikë në Kosovë janë sipërmarrësit. Ne e dimë se nuk mundemi ta rrisim pagën minimale pa i forcuar këta. Mendoj se si Kosovë i kemi ndërmarrë disa veprime. Që të rregullohet statusi në sektorin publik është dashur ta rregullojmë klimën në biznes. Mendojmë se lirimet në tatim të lëndës së parë, të makinerisë, pastaj Ligji për TVSH-në dhe disa veprime të tjera, qoftë edhe taksa e cila prodhuesve u ka dhënë fuqi, na mundëson që më në fund të marrim një vendim, i cili është i përbashkët që do të kishte koeficientin 1”, ka shtuar ai.

Ymeri: Paga minimale në vend të ngrihet urgjentisht në 250 euro

Ndërsa nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka propozuar që paga minimale në vend të ngrihet urgjentisht në 250 euro. Sipas tij, që nga viti 2011 nuk ka ndryshuar paga minimale në Kosovë.  “Është viti 2011 kur është vendosur që paga minimale të jetë 170 euro për të punësuarit mbi moshën 35-vjeçare dhe 130 euro për ata nën moshën 35-vjeçare. Punëtori në Kosovë nuk është vetëm i varfër, ai është edhe i harruar nga shoqëria. Prej vitit 2011 janë rritur 3 herë pagat në sektorin publik, ndërsa paga minimale nuk është rritur”, ka thënë ai.

Pagat aktuale që i marrin punëtorët në sektorin privat deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, i ka konsideruar si diskriminuese. Ajo ka thënë se ka pabarazi mes pagave në sektorin publik dhe në atë privat. “Ne kemi një diskriminim të theksuar, sidomos sa u përket pagave në sektorin privat, zakonisht në kompanitë e mëdha, të cilat janë në pronësi të zyrtarëve të lartë ose të familjarëve të tyre e të cilët kanë mundësi edhe të vazhdojnë me këtë diskriminim. Sektori privat, fatkeqësisht bizneset e vogla familjare vazhdojnë të diskriminohen, nuk ndihmohen nga shteti, ndërsa bizneset e mëdha vazhdojnë t’i diskriminojnë punëtorët”, ka theksuar ajo.

Në anën tjetër edhe deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka kërkuar që të rritet paga minimale në sektorin privat dhe të respektohet Ligji i Punës

Pozita kërkon që të mos ketë dallime në moshë sa i përket pagës minimale

Që nga viti 2018 përcaktimi i pagës minimale në sektorin privat është bërë në dy nivele, deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës kanë vlerësuar se nuk duhet të bëhet dallimi në moshë për pagë minimale.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ka thënë se kur është përcaktuar paga minimale me ligj në dy nivele, në atë 130 euro dhe 170 euro, nuk ka qenë përcaktim i mirë. “Nëse duhet të përcaktojmë pagën minimale është mirë që të mos përcaktohet në dy nivele, por të ketë një pagë minimale. Nuk mund të bësh dallim në moshë të të punësuarve, që përcaktohet edhe paga minimale”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se paga minimale duhet të njihet si pagesë minimale për orët e punës. “Hap fillestar sa i përket pagës minimale duhet të jetë ndryshimi i modalitetit. Paga minimale duhet të njihet si pagesë minimale për orë të punës. Organi që ka për detyrë të dalë me propozime konkrete, Këshilli Ekonomiko-Social i Kosovës, duhet të rrisë përgjegjësinë dhe të dalë së paku dy herë në vit për pragun e pagesës për orë pune. E mira është që edhe para kësaj interpelance të gjithë të jemi të dakorduar pro rritjes së pagave”, ka thënë ajo.

Lluka në interpelancë: Termocentrali i ri do t’i plotësojë nevojat për energji 

Përveç Haradinajt në interpelancë ka qenë i ftuar edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Ai foli për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, me ç’rast tha se me ndërtimin e këtij termocentrali do të plotësohen nevojat për energji elektrike në vend. Sipas tij, ndërtimi i këtij termocentrali do të nxisë edhe zhvillimin e vendit. “Qeveria më 20 dhjetor të vitit 2017 ka nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’. Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike është problematik në Kosovë që nga paslufta që patjetër kërkon një zgjidhje urgjente, duke u bazuar në resurset natyrore që posedon vendi ynë. Qëllimi parësor i ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’ është t’i plotësojë nevojat për energji elektrike në vend. Ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’, përveçse jetik për vendin është parakusht për nxitje dhe për zhvillim të vendit”, ka thënë ai.

Lluka ka thënë më tej se për 18 vjet Kosova ka importuar 650 milionë euro për energji elektrike. “Gjenerimi i energjisë elektrike përballet me probleme serioze. Qytetarët që nga paslufta janë përballur me reduktime. Që nga viti 2000 deri në vitin 2018 Kosova ka importuar rreth 650 milionë euro energji elektrike. Ne kemi dhënë vende pune për vende të tjera duke importuar energjinë elektrike. Ne kemi zvogëluar bruto produktin për vendin tonë”, ka thënë ai, shkruan Gazeta “Zëri”.

Deputetët janë kundër ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka paraqitur para deputetëve një rekomandim në formë të një rezolute. Me anë të këtij rekomandimi ka propozuar që Kuvendi t’i kërkojë Qeverisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik t’i ndërpresin të gjitha veprimet në lidhje me ndërmarrjen “Kosova e Re”, shkruan Gazeta “Zëri”.

“Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria dhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik t’i ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri më tani në lidhje me regjistrimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës, derisa Kuvendi të vendosë për miratim të garancisë së marrëveshjes komerciale nëpërmjet kompanisë ‘Contour Global’ dhe Qeverisë së Kosovës për termocentralin ‘Kosova e Re’ dhe të mos lidhë asnjë marrëveshje kontraktuale derisa Kuvendi të vendosë për miratimin e garancisë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se për 20 vjet për këtë projekt qytetarët do të paguajnë më së paku 5 miliardë euro.

“Konsekuencat që ka për t’i pasur ky projekt, me llogaritjen e njohësve më të mirë të kësaj fushe, në 20 vjetët e ardhshme nëse llogaritet krejt kostoja e projektit më së paku ka për të pasur kosto 5 miliardë euro prej xhepit të qytetarëve. Nëse llogaritet çfarë ka për të mbuluar si shpenzime Kosova, plus rritjen progresive të çmimit të energjisë, në vitin 2043 qytetarëve do t’u dalë kostoja 5 deri 6 miliardë euro të paguara nga xhepi i tyre”, ka thënë ai.

Konjufca i ka thënë ministrit Lluka se është në rrezik që me këtë kontratë dikush të shkojë edhe në burg./ZËRI

SHIKO MË SHUMË

Kishte 487 kg duhan kontrabandë, një person ik në drejtim të Maqedonisë së Veriut kur sheh policinë

Policia kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dje në fshatin Krivenik...

Sot diell dhe vranët, nga e diela stabilizim i motit – temperaturat deri në 24 gradë

Për të premten në Kosovë parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa...

Sulmoi seksualisht një grua në Shtime, arrestohet

Një burrë është arrestuar në Shtime pasi që i njëjti dyshohet se ka ngacmuar...