Grabitje në Vushtrri, kërkohet paraburgim për të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit për dy të dyshuarit E.H nga fshati Mihaliq i komunës së Vushtrrisë, dhe F.Z nga Vushtrria, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Grabitja”.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit E.H dhe F.Z, me datën 10 korrik, rreth orës 09.20 në Vushtrri, duke vepruar së bashku, me përdorimin e forcës dhe me kanosje serioze për të sulmuar jetën personit tjetër, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme.

E SPONZORIZUAR

“Dy të dyshuarit të pajisur me maska kanë hyrë në një filial të transferimit të parave, ku dëshmitares/të dëmtuarës F.F, të dyshuarit i kanë kërkuar para, ku i dyshuari E.H i cili ka pasur të veshur jakne të gjelbër dhe duke mbajtur dorën e majtë në xhepin e majtë të jaknës dhe duke drejtuar dorën me jakne në drejtim të dëmtuarës, duke dhënë shenjë se ka armë, fillimisht i ka bërtitur të dëmtuarës për ti dhënë para, pastaj ka hyrë në arkë dhe nga aty ka marrë para në vlerë prej 250 €, si dhe ia ka hapur të dëmtuarës çantën duke i marrë portofolin, ndërkaq i dyshuari tjetër F.Z ka qëndruar brenda lokalit duke bërë roje”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Dy të dyshuarit janë arrestuar dje dhe me urdhër të prokurorit për momentin gjenden në ndalim 48 orësh.

Seanca për caktimin e paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë./Telegrafi/