Fatos Bytyqi, vëllai i Agron, Mehmed dhe Yll Bytyqit të vrarë në vitin 1999 në Petrovo Sello, ka deklaruar se kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq duhet të inkurajojë organet e drejtësisë në hetimet për vrasjen e vëllezërve të vet.
Ai në një intervistë për të përditshmen serbe ‘Danas’ ka thënë se nuk mjafton krijimi i komisioneve për këtë çështje, por se, sipas tij, nevojitet angazhimi i organeve të drejtësisë.
“Vrasjen e vëllezërve të mijë mund ta hetojnë vetëm organet e drejtësisë dhe komisionet e pavarura… Që ky proces të vazhdojë tutje, nevojiten dëshmitarë. Kryeministri Vuçiq duhet të ndërmarr hapa që ta inkurajojë një gjë të tillë. Tregimi për krijimin e këtyre komisioneve, vetëm sa e ka shpërqendruar vëmendjen e të gjithëve”, ka thënë Bytyqi, transmeton lajmi.net.
Fatos Bytyqi beson fort që e vërteta për vrasjen e vëllezërve të tij do të zbardhet.
“Kjo do të ndodhë. Njerëzit e dinë se unë jam shumë këmbëngulës, dhe se rasti nuk do të më lodhë aq lehtë. Nuk do të heq dorë, përderisa të gjithë ata që janë përgjegjës për këto vrasje të dënohen, që i bije të gjithë nga zinxhiri komandues”, ka bërë të ditur ai.
Vuçiq ditë më parë kishte hequr dorë nga formimi i komisionit të pavarur për të hetuar këtë çështje, duke e dërguar procesin në Gjykatën për Krime Lufte.