FAK-u, peng i politikës

PUBLIKUAR

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës ka kohë që janë zotuar se Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohet në Forca të Armatosura. Por, diçka e tillë nuk ka ndodhur ende.

Në përvjetorin e gjashtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pati deklaruar se është shtuar nevoja për krijimin e një force moderne të armatosur në Kosovë.

Zyrtarët nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë se FSK-ja tashmë ka realizuar gjithë programin e saj për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale sipas misionit që ka pasur dhe se, sipas tyre, ato kapacitete janë pranuar nga NATO.

Ibrahim Shala nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se FSK-ja është e gatshme për transformim të mëtejmë.

“Draft-ligji ditë më parë i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës. Se kur Qeveria do ta procedojë në Parlament dhe kur Parlamenti do ta vërë në rend të ditës, varet nga agjendat e Parlamentit dhe nga zhvillimet e tjera politike të shtetit tonë”, thotë Shala.

Në rishikimin e strategjisë për sigurinë e Kosovës është rekomanduar që FSK-ja të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës. Ky rekomandim është miratuar nga Qeveria, por që të jetë i plotfuqishëm duhet të bëhen edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe të miratohet ligji përkatës.

Për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës nevojiten ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që ato nuk mund të bëhen pa dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë bashkësitë e pakicave në Kuvend.

Shala thotë se në Forcën e Sigurisë së Kosovës ekziston besimi se partitë politike shqiptare, por edhe ato të komuniteteve të tjera që janë të përfaqësuara në Kuvend, do ta përkrahin ligjin për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvend, Daut Haradinaj, thotë se Komisioni dhe legjislativ është i gatshëm të procedojë me ligjin në momentin që ekzekutivi do ta dorëzojë në Kuvend pakon ligjore.

“Është peng i proceseve politike”, shprehet Haradinaj. “Jemi të gatshëm për ta proceduar, në momentin që na i dorëzojnë (ligjet). Por, siç duket kanë probleme të natyrave të ndryshme të marrëveshjeve politike edhe me Listën Serbe. Këtu është pengesa kryesore, sepse kërkohet plotësim-ndryshim i Kushtetutës së Kosovës”.

Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Naim Maloku, thotë se çështja e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur dhe deklaratat nga politikanët lidhur me këtë çështje, bëhen vetëm për konsum të brendshëm politik.

“Kur nuk dinë të thonë diçka tjetër, atëherë thonë që për shembull brenda këtij viti Kosova do të bëhet me ushtri”, thekson Maloku. “Forcat e Armatosura të Kosovës do ta kenë fatin e një dialogu, një presioni të faktorit ndërkombëtar se si do të jetë e ardhmja e Ballkanit”.

Maloku konsideron se e ardhmja e FSK-s do të jetë si temë diskutimi në fund të bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Unë mendoj se kusht i Listës Serbe, ka për të qenë që në veri të kenë një forcë të armatosur siç e ka Republika Srpska. Ajo nuk funksionon”, konsideron Maloku. /REL/

SHIKO MË SHUMË

Kanos me vrasje katër policë dhe dëmton kompjuterin në stacion, arrestohet i dyshuari në Pejë

Një person është arrestuar në Pejë pasi dyshohet se ka kanosur me vrasje katër...

Hajnat depërtojnë me forcë në një biznes në Prizren, marrin para dhe dëmtojnë pajisjet

Një rast i vjedhjes është raportuar në Prizren, ku persona ende të paidentifikuar kanë...

Aksidenti afër QKUK-së, nga policia japin detaje

Gjatë mëngjesit të sotëm rreth orës 08:00 ka ndodhur një aksident trafiku pranë Qendrës...