Përpara se të niseni për udhëtim drejt destinacionit të zgjedhur për pushimet e verës, përveçse të informoheni rreth motit dhe rrugës që do të përshkoni duhet të kontrolloni edhe makinën. Që t’i paraprini surprizave të rrugës është e rëndësishme që të kujdeseni më parë për nivelin e vajit, ujit, gomat, gomën rezervë, dritat etj.
Gëzim Hoxha, ekspert i sigurisë rrugore dhe Julian Mihali, teknik autoservisi kanë treguar për rubrikën “Kujdes në timon!” në “Wake Up” domosdoshmërinë e këtij kontrolli.
Kontrolli i makinës ndahet në 3 kategori: kontrolli i jashtëm, ai në zonën e motorrit dhe kontrolli i brendshëm.
Kontrolli i jashtëm përfshin gjendjen e gomave, nivelin e fryrjes së tyre. Duhet të kontrolloni gomën rezervë, fshirëset e xhamit, pasqyrat, dritat dhe t’i hidhni një sy bagazhit për artikujt e nevojshëm. Aty nuk duhet të mungojnë:
-Çanta e veglave, trekëndëshi, kriku, kutia e ndihmës së shpejtë.
Për zonën e motorrit është e rëndësishme të kontrollohet sistemi ftohës, niveli i ujit, sistemi i vajosjes, niveli i vajit në motorr. Vijojmë me baterinë dhe më pas kontrollojmë sistemin e frenimit.
Ngelet për t’u parë edhe zona e timonit, ku duhet kontrolluar toleranca e timonit por jo vetëm. Ekspertët sugjerojnë që të kontrollohet nëse punon buria apo jo, nëse kemi karburant në serbator, duhet të rregullojmë mbështetësen e kokës, pasqyrat dhe tanimë çdo gjë është gati për një udhëtim të qetë…
Është e vërtetë që qoftë edhe ndërrimi i një gome mund të shkaktojë dhimbje koke tek shumë drejtues mjetesh, por duhet të dini që një kontroll paraprak i makinës bën që qarkullimi të jetë më i sigurt. Ndaj përveçse të kontrolloni rrobat e banjës, kremin mbrojtës, syzet, kapelen dhe gjithçka ju duhet për t’ju drejtuar plazhit, nëse kilometrat drejt destinacionit të pushimeve zgjidhni t’i bëni me makinën tuaj, keni edhe një detyrë më shumë! / Top Channel