Breshkës i kishte ardhur në majë të hundës jeta e ngadalshme dhe zvarritja e përhershme në tokë me hapin e kërmillit. Breshka mendonte që, sikur të mundej të ngrihej vetëm një herë në ajër, do të ishte në gjendje të fluturonte po aq mirë sa zogjtë.
Kështu, një ditë i premtoi një shqiponje gjithë thesaret e oqeanit vetëm ta mësonte si të fluturonte. Shqiponja kundërshtoi dhe i tha se dëshira e breshkës për të fluturuar ishte jo vetëm e paarsyeshme, por edhe e pamundur. Mirëpo, breshka nguli këmbë dhe filloi t’i përgjërohej aq shumë sa shqiponja ra në siklet dhe e pranoi të përpiqej një herë. Kështu shqiponja e ngriti breshkën lart në ajër dhe pastaj e lëshoi duke i thënë: – Tani, hap këmbët!
Po, para se breshka t’i kthente përgjigje shqiponjës, u rrokullis tatëpjetë, ra mbi një shkëmb e u bë copë-copë.


