Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka paralajmëruar ndëshkimin e mësimdhënësve të cilët mbajnë kurse private për nxënësit, e në orët mësimore nuk shpjegojnë si duhet.
Bajrami ka thënë se këtë çështje do të kërkojë ta rregullojë edhe me ligj.
Ai u ka bërë thirrje prindërve të mos i dërgojnë fëmijët në kurse private, por t’i lajmërojnë ngecjet e fëmijëve në lëndët përkatëse dhe të caktohen orë shtesë apo orë plotësuese në kuadër të shkollës, transmeton Gazeta Express. Bajrami ka theksuar që para se të diskutohet për pagat e mësimdhënësve, duhet të diskutohet për cilësinë e mësimdhënies, sepse paga mesatare kalon 500 euro dhe është më e mirë sesa ajo e shërbyesve civilë. Sipas tij, është e diskutueshme se sa prej tyre e meritojnë këtë pagë të bujshme.


