Avokatët: Nuk ka imunitet për krerët e Kushtetueses

PUBLIKUAR

Shqyrtimi i kërkesës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga ana e Nënkomisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit, për heqjen e imunitetit për ish- kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Enver Hasanin dhe kryetaren e aktuale të Kushtetueses, Arta Rama- Hajrizi, sipas avokatëve kosovarë, nuk është i nevojshëm, sepse askush nuk mund të thirret ne imunitet derisa është i dyshuar për kryerjen e veprave penale.

Avokatët kosovarë theksojnë se çdo person i dyshuar për shkelje ligjore, mbetet i pafajshëm deri në momentin sa të vërtetohet e kundërta.

Avokati Tomë Gashi, ka thënë për Telegrafin se për të shqyrtuar kërkesën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për heqjen e imunitetit për ish – kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani dhe kryetaren aktuale të Kushtetueses Arta Rama-Hajrizi, nuk duhet fare të vendosë Komisioni i Parlamentit të Kosovës, sepse sipas tij, nuk ekzistojnë dilemat për vendimin që ata duhet të sjellin – t’ia heqin apo jo imunitetin të lartpërmendurve.

Ai ka theksuar se ky komision duhet ta ketë parasysh rastin e Fatmir Limajt, për të cilin Kuvendi i Kosovës apo Zyra e Kryeministrit të atëhershëm, ka kërkuar sqarime rreth mundësisë së heqjes së imunitetit, ku Gjykata Kushtetuese aso kohe ishte deklaruar se askush nuk mund të thirret në imunitet e madje as anëtarët e Parlamentit të Republikës së Kosovës, në momentin kur dyshohet për veprime të dyshuara si vepra penale.

“Pra, vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur për këtë çështje, dhe atëherë kryetar i Gjykatës Kushtetuese ka qenë Enver Hasani. Askush nuk mund te ketë imunitet, e as gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, nëse vërtetohet se ata qëllimisht kanë falsifikuar dokumente zyrtare për të sjellur aktgjykim të kundërligjshëm. Kjo mund të paraqes edhe keqpërdorim te pozitës apo të autoritetit zyrtar. Imuniteti nuk e parandalon hetimin penal, sepse gjyqtarët nuk janë të thirrur që të keqpërdorin autoritetin e vetë zyrtar duke falsifikuar dokumente apo duke sjellur aktgjykime të kundërligjshme”, ka theksuar Gashi për Telegrafin.

Sipas tij, për secilin të dyshuar – përfshirë edhe këtë rast – vlen parimi se ata konsiderohen të pafajshëm në procedurë penale derisa eventualisht me aktgjykim të plotfuqishëm të vërtetohet fajësia eventuale e tyre.

“Ne duhet t’iu besojmë deklaratave të tyre, sepse ashtu ishte dashur të jetë. Por të gjithë e dinë të vërtetën, dhe e vërteta është se në çdo rast penal të profilit të lartë ka ndikime politike dhe ndoshta në këtë rast nuk do të jetë ashtu. Kushdo që të besojë le të besoj si do vetë, sipas preferencës”, ka shtuar Gashi.

Ndërsa, avokati Arianit Koci, i ka thënë Telegrafit se prej praktikave të deritashme, kur është kërkuar heqja e imunitetit kjo edhe ka ndodhur.

Sidoqoftë, ai ka thënë se për të lartcekurit duhet të vlejë prezumimi i pafajësisë.

“Besoj se në kuadër të sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial kemi individë që janë të pandikuar dhe të pakorruptuar, por në të njëjtën kohë duhet që t’i lëmë organet e drejtësisë ta kryejnë punën e vet. Njëherësh duhet të mësohemi ta respektojmë të drejtën e secilit individ që të konsiderohet i pafajshëm derisa të mos vërtetohet fajësia e tij, me aktgjykim të plotfuqishëm. Çdo i dyshuar, nuk është domosdoshmërisht fajtor për atë çka dyshohet. Për atë arsye, zhvillohem hetimet dhe mbahet gjykimi. Ta vërtetoj fajësinë apo pafajësinë individuale”, ka shtuar Koci. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Operacion kundër krimeve të luftës, arrestohen pesë persona

Në kuadër të hetimeve për krime lufte, Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), në bashkëpunim...

Tri raste të dhunës në familje për 24 orë – të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt

Familjet kosovare po vazhdojnë të përballen me dhunë mes anëtarëve të tyre, ndërsa vetëm...

LVV-ja siguron ulësen e 51-të në Kuvend

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar edhe ulësen e 51-të në Kuvendin e Republikës së Kosovës,...