Autoritetet në Rivierën Franceze po përdorin një dron të pajisur me një altoparlant për t’i udhëzuar njerëzit të “qëndrojnë në shtëpi”.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, droni ka përshkuar sot në mëngjes qytetin Nice duke vazhduar pasdite në Kanë.
“Mos harroni udhëzimet në lidhje me epideminë Covid-19. Të gjitha daljet jashtë shtëpisë janë të ndaluara, përveç rasteve emergjente”, ishte mesazhi i përçuar.
“Ju lutemi respektoni pikat e distancës, prej të paktën një metër ndërmjet njëri-tjetrit”, thuhej në mesazh.
Pajisja po menaxhohet nga një biznes lokal i dronëve i drejtuar nga ish-oficeri i policisë, Sabri Ben Hassen.
“Për momentin ne kemi vetëm një pajisje, dhe është duke e dërguar mesazhin me një altoparlant me 100 decibel, sa për t’ju dhënë njerëzve ide”, ka thënë Ben Hassen, 33 vjeç për AFP.
Operacioni është organizuar nga prefekti i policisë lokale. /Telegrafi/