Ballkani, marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe ndikimi i fuqive perëndimore në pajtimin e tij. Këto ishin temat që u debatuan në emisionin Zona e Debatit të Baton Haxhiut, me panelistët: Behlul Beqaj, Nexhmedin Spahiu, Shpend Kursani, Burim Ramadani dhe Ramadan Ilazi.
Për publicistin Nexhmedin Spahiu, nuk mund të shtrohen tezat e dobësimit të nacionalizmave ballkanikë pasi shqiptarët nuk paraqesin rrezik për askënd dhe se struktura e Ballkanit varet nga prizmi i shikimit.
“Një gjë që nuk qëndron është frika nga nacionalizmi shqiptar. Nacionalizmi shqiptar është shumë i dobët, për të mos thënë, inekzistent”, tha Spahiu.
Sipas tij, Ballkani i ri sot varet nga perspektiva si e shikojmë: në interesin rus, interesin shqiptar apo interesin perëndimor.
“Në interesin shqiptar është që Ballkani të jetë pjesë e Perëndimit. Të tjerat dihen”, tha ai.
Ndërsa për analistin Shpend Kursani, analiza për Ballkanin nuk është bërë si duhet.
“Nuk është bërë një analizë mikro në vendet e Ballkanit, por makro dhe deridiku në mënyrë dëshirore. Nëse i shohim vendet e Ballkanit, një pjesë e madhe dëshirojnë ndërrim të kushtetutës. Ky është problem, sidomos te Bosnja”, tha ai.
Kursani gjithashtu mendon se ndryshimet për Ballkanin e ri nuk mund të bëhen krejt në mënyrë paqësore dhe pa reagim të Serbisë.
“Është e pamundur që Serbia në dy fronte të dorëzohet pa bërë zhurmë. Unë nuk besoj që kjo mund të ndodh në mënyrë paqësore. Me iu dhanë shqiptarëve të Maqedonisë më shumë të drejta e me iu heqë të drejta serbëve në Bosnje është diçka e thënë në mënyrë dëshirore”, tha Kursani.
Politologu Behlul Beqaj e sheh me skepticizëm rolin e BE-së dhe mendon se BE-ja ka pasur dështimet e saj në Ballkan.
“Unë nuk mendoj që jemi realistë në vlerësime. Nuk e di pse po e glorifikojmë misionin e BE-së. BE-ja ka dështuar me misionin e saj për anëtarësim në familjen europiane”, tha Beqaj.
“Nuk është sukses për BE-në që Serbia po largohet nga Rusia. Nuk është sukses që po takohen elitat në Bruksel. Nëse ne sillemi me një hipokrizi karshi proceseve reale, unë nuk pres nga Serbia që do ta heqë Kosovën nga kushtetuta e saj”.
Anëtari i AAK-së, Burim Ramadani, mendon se fajin për pozitën në të cilën gjendet Ballkani sot e kanë elitat politike dhe se një drejtim të ri për gadishullin mund të ketë vetëm përmes demokratizimit, por jo pa një ridefinim kufijsh.
“Elitat politike në Ballkan janë stërkequr, duke stërkequr edhe sistemin politik ballkanas. Ato me mjete politike e vendosin fuqinë e vet, duke e fuqizuar me tone etnonacionaliste. Ballkanin e ri mund ta bëjë ajo që ka qenë moto e Presidentit Clinton: ‘Interesi i SHBA-ve, zgjerimi i komunitetit të kombeve demokratike’”.
“Ballkani i ri nuk mund të bëhet pa rivizatim të kufijve”, tha Ramadani.
Në anën tjetër, zëvendësministri për Integrime Europiane, Ramadan Ilazi, tha se Kosova dhe vendet e Ballkanit nuk kanë rrugë tjetër veç evropianizmit të Ballkanit.
“Procesi i integrimit në BE është proces i transformimit. Ballkani duhet të jetë Ballkan Europian, sepse nuk ka alternativë tjetër. Çfarëdo alternative tjetër është e rrezikshme. Liderët e Ballkanit përmes procesit të Berlinit pajtohen për një numër projektesh në rrugën e tyre drejt BE-së”, tha Ilazi. /Klan Kosova/


