Analistët politikë i shohin si të pashmangshme zgjedhjet e jashtëzakonshme në mënyrë që vendi të dalë nga bllokada institucionale.
Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Bajraliu thotë se bazuar në situatën në të cilën gjendet vendi, ku partitë politike nuk po bien dakord për tejkalimin e krizës, presidentja Atifete Jahjaga duhet të shfrytëzojë të drejtat e saj kushtetuese që ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, e cila sipas tij, janë i vetmi opsion real.
“Fatkeqësisht pasi që nuk po shohim në horizont një marrëveshje në mes të palëve të involvuara në këtë çështje, atëherë mbetet i vetmi opsion real që shikohet mundësia në kuadër të dispozitave kushtetuese, respektivisht ingerencave që ka presidentja e vendit në përputhje me dispozitat e nenit 84 paragrafi 3 dhe të nenit 4 paragrafi 3 të Kushtetutës, në rrethanat fare i kemi për fat të keq, mund të paraqitet si opsion real që edhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Bajraliu.
Edhe analisti Emrash Ujkani beson se presidentja duhet që t’i shpallë zgjedhjet sa më shpejt, pasi sipas tij, Kosova nuk duhet të humb më shumë kohë.
“Unë mendoj që presidentja do ta merr rolin e vet me një përgjegjësi më të lartë. Do të veproj si përfaqësuese e unitetit të popullit dhe do të jetë më tepër në proces dhe t’i shpallë këto zgjedhje sa më shpejt që të jetë e mundur sepse me të vërtetë sa më shumë që vonohemi në këtë proces, joetëm që po e dëmtojmë qytetarin duke mos iu dhënë zgjidhje, në anën tjetër po i rrezikojmë edhe shumë procese jetike për vendin tonë”, tha Ujkani.
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka thotë se ata janë të gatshëm të organizojnë zgjedhje në çfarëdo kohe.
“Afatet ligjore për zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë rast është 30 deri 45 ditë. KQZ-ja natyrisht që sa më shumë kohë që ka, aq më mirë dhe aq më cilësore do të jenë zgjedhjet”, ka thënë Daka duke shtuar se nuk e sheh si problem as organizimin e zgjedhjeve në veri të vendit. /RTK/



