Në Afrikën e Jugut është gjetur një diamant i jashtëzakonshëm 232 karatësh, i cili hyn në kategorinë D të tipit II, që do të thotë transparent dhe pa papastërti të matshme
Një diamant prej 232 karatësh, me një përmasë dhe qartësi të jashtëzakonshme, është zbuluar në një minierë afrikanojugore në afërsi të Pretorias, veçanërisht e pasur me diamante të përmasave të mëdha.
Kompania londineze Petra Diamonds, që zotëron minierën Cullinan që prej vitit 2008, nuk ka bërë të ditur vlerën e gurit i cili hyn në kategorinë D të tipit II, që do të thotë transparent dhe pa papastërti të matshme.
Diamanti i fundit i bardhë prej 507 karatësh, i shitur nga kompania, ka arritur çmimin rekord prej 35.3 milionë dollarë në vitin 2010, ka thënë një zëdhënëse e Petra Diamonds, Cathy Malins.
Sipas saj, ekspertët e kanë vlerësuar diamantin e ri të jashtëzakonshëm rreth 10-20 milionë dollarë, në kuadër të çmimeve të arritura këto vitet e fundit. Shitja do të zhvillohet deri në fund të vitit.
Në muajin qershor, kompania kishte njoftuar një zbulim tjetër të rrallë, një diamant blu prej 122 karatësh, në të njëjtën minierë, rreth 40 kilometra nga kryeqyteti afrikanojugor.
Në vitin 1905, diamanti më i madh në botë Cullinan, prej 3.106 karatësh, ishte zbuluar në të njëjtën minierë dhe më vonë ishte ndarë në dy pjesë për t’u vendosur në stolitë e dinastisë britanike.



