Anëtarët e klubit Rotaract Ilyrian rastësisht kishin dëgjuar se protezat e tilla protetike kanë çmime marramendëse dhe, nga kureshtja për të parë çmimin e saktë në Kosovë, ata e kishin kuptuar se vetëm një protezë e thjesht e mban çmimin rreth 700 euro, shifër e cila mund të arrijë deri në mijëra euro, varësisht nga kualiteti i protezës.
Shkruan: Besfort Berisha
Megjithatë, çmimin e njëjtë nuk e kishte një protezë e cila mund të printohej me printerin 3D, por çmimi ishte dukshëm më i lirë, varësisht nga shpenzimet e materialit të cilat ndryshojnë nga madhësia, shkruan Telegrafi.
Dora protetike 3D përbëhet kryesisht nga plastika, e cila është organike, nuk shkakton ndonjë alergji në lëkurë dhe nuk nevojitet ndërhyrje kirurgjike për të.
Këto të dhëna kishin bërë që anëtarët e Rotaract Club Illyrian, organizatë e të rinjve të angazhuar pa rezervë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, të fillonin ndërtimin e një proteze 3D, e cila, sipas statistikave, do t’ua lehtësonte jetën mbi 150 personave në nevojë në Kosovë.
Fillimisht, për të realizuar prototipin, nga ana financiare ishte përkujdesur klubi “Rotary Prishtina International”, e pastaj prototipi ishte printuar në Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK).



