Përse Bolivia, e cila nuk ka fare qasje në det, posedon një marinë ushtarake? Përse në rrugët e saj sheh “zebra” me kostum që rregullojnë trafikun, dhe përse La Paz cilësohet si “qyteti i rekordeve”?
Flamuri i Bolivisë me tri vija paralele në ngjyrat e semaforit, valëvitet qysh prej vitit 1851 në mbarë vendin dhe sigurisht para Pallatit të Qelqtë të OKB-së në Nju-Jork apo kudo ku vendi latinoamerikan aderon, e ku kërkohet prezenca e përfaqësuesve të tij në botë. E kuqja simbolizon trimërinë e ushtarëve, e verdha pasurinë nëntokësore të këtij vendi, dhe e gjelbra simbolizon pjellorinë e tokës boliviane. Flamuri i Ganës duket shumë i ngjashëm me atë të Bolivisë, veçse mbi vijën e verdhë është vendosur një yll i zi.
Sikurse shumë njerëz të tjerë të tyre në rajon, kontinent apo dhe në botë, bolivianët nuk u përmbahen shumë rregullave të trafikut. As shoferët e as këmbësorët. Për këtë arsye, qeveria ka ndërmarrë masa të reja edukimi, për ta zbutur këtë problem: “zebrat” rregullojnë trafikun, e ndonjëherë të rrallë, madje edhe gomarët.
Eksperienca është dëshmuar e vlefshme ndërkohë, e përtej përqeshjeve në media apo rrjete sociale, për shpikësit e saj dhe paratë publike të hedhura për ta zbatuar projektin “e paparë e padëgjuar” ndonjëherë, ajo i ka kaluar kufijtë e një projekti “pilot”. Kjo do të thotë se: të rinjtë në kostume që imitojnë kafshët në fjalë, kujdesen tashmë për sigurinë në rrugë; ata presin në semaforë e nëpër kryqëzime për këmbësorë, të cilët i ndihmojnë të tejkalojnë kaosin në trafik, ndalojnë shoferët e këmbësorët që neglizhojnë apo injorojnë tërësisht të kuqen në semafor.
Në 4.061 metra lartësi ndodhet “El Alto International Airport” – në një sipërfaqe të rrafshët në perëndim të La Pazit. Me këtë investim, ai shënon edhe aeroportin më të lartë të Amerikës Latine. Në një renditje e krahasim ndërkombëtar të aeroporteve që shtrihen në sipërfaqet më të larta në botë, Bolivia renditet në vendin e pestë.
Kjo, sepse në fakt rekordin absolut e mban Aeroporti i “Daocheng Yading”-ut, që i përket provincës kineze Siçuan, e cila ndodhet në lartësinë e 4411 metrave. La Paz, meqë ra fjala, është edhe qyteti me ndërtesat qeveritare që ndodhen në sipërfaqen më të lartë në botë; ato kapin lartësinë e 3.200 deri në 4.100 metrave mbi nivelin e detit. Por La Paz, megjithatë, nuk është – sikurse mendojnë shumë vetë – edhe kryeqyteti i Bolivisë – sepse ai është Sukre, në Jug.
Megjithëse vendi është një territor i brendshëm, i mbyllur e pa qasje në dete e oqeane, ai, çuditërisht, mban, financon dhe ushqen një marinë ushtarake. Rreth 1.800 burra e gra numëron “Fuerza Naval Boliviana”, ose në shqip Forca Detare Boliviane, e njohur ndryshe nga vendasit edhe si “Armada”.
Vendi që ndodhet mes Andeve, e që dikur kishte 120.000 kilometra katrorë dhe qasje në 400 kilometra brigje detare, e humbi përfundimisht qasjen në ujëra, pas Luftës së Paqësorit (1879–1884) kur ia mori Kili, i cili doli fitimtar nga ajo luftë – por megjithatë, ajo nuk hoqi dorë kurrë realisht nga pretendimi për ta marrë sërish kontrollin e kësaj vije bregdetare të konsiderueshme.
Kështu ndodh që çdo vit, më 23 mars, Bolivia vajton humbjen e asaj kohe e “betohet” se do të kthehet sërish në det. Për këtë arsye, marina e saj ushtarake, ushtrohet vazhdimisht në brigjet e lumit “Titicaca” dhe popullsia e qeveria tregojnë respekt e vëmendje të posaçme, duke hedhur për të me ndërgjegje të pastër të mbarsur me patos kombëtar, jo vetëm para publike.



