Ngrohja globale është cilësuar si një nga rreziqet më të mëdha që i kanosen planetit.
Por duket se shkencëtarët kanë gjetur një zgjidhje të zgjuar për të kufizuar emetimet e dioksidit të karbonit.
Sipas BBC, zgjidhja është që dioksidi i karbonit të kthehet në gur.
Shkencëtarët, që kanë eksperimentuar në Islandë, kanë pompuar CO2 dhe ujë nën tokë në një shkëmb vullkanik.
Reaksioni me mineralet e nëntokës e ktheu dioksidin e karbonit në një masë solide të qëndrueshme dhe të palëvizshme.
Akoma më inkurajues është fakti se procesi ndodhi shpejt: brenda disa muajsh.
“Nga 220 ton me CO2 të injektuar, 95 për qind u konvertua në gur gëlqeror në më pak se dy vjet”, shkruan udhëheqësi i këtij eksperimenti, Juerg Matter nga Universiteti i Sauthemptonit në Britani.
“Ishte një surprizë e fortë për të gjithë shkencëtarët e angazhuar në këtë projekt. Ne të gjithë thamë: Uau, kjo është vërtet shpejt”.
Ndërkohë që dioksidi i karbonit po marshon me shpejtësi në atmosferë, duke e ngrohur planetin, shkencëtarët kanë provuar prej kohësh procesin e kapjes dhe ruajtjes së karbonit.
Eksperimentet e shkuara kanë injektuar CO2 të pastër në gur ranor ose në akuifere të kripura.
Megjithatë ekzistonte frika se dioksidi i karbonit do e gjente një mënyrë për të dalë sërish në atmosferë.
Por projekti i Islandës ia ka dalë të ngrijë karbonin e padëshiruar në një vend. /mapo.al/






