Paraardhësi i të gjithë telefonave të mençur bashkëkohorë është IBM Simon Personal Communicator. Ky telefon ka dalë në shitje publikisht më 16 gusht 1994 dhe ka qenë një kombinim i teknologjisë së telefonave celularë me veti të shumta kompjuterike.
Për ta shënuar njëzet vjetorin, Muzeu Shkencor i Londrës do ta shfaq atë në galerinë e saj më të re të quajtur Epoka e Informacionit.
“Simon nuk është quajtur telefon i mençur në atë kohë” ka thënë kuratorja Charlotte Connely. “Por ai ka pasur shumë tipare që shohim sot. Ka pasur kalendar, ka mundur të mbaj shënime dhe të dërgojë e-mail. Gjithashtu ke pasur mundësi për të dërguar mesazhe dhe normalisht të bësh thirrje” ka shtuar ajo.
Duke peshuar gjysmë kilogrami (500g), Simon s’ka qenë bash telefon i xhepit. Megjithatë, Connely insiston se telefoni ka qenë përpara kohës së vet. “Duket sikur një tullë ngjyrë hiri, por nuk është edhe aq i madh” ka thënë ajo.
Sipas kuratores ky telefon ka ardhur me një laps për të punuar në ekranin e gjelbër LCD, dhe ka pasur madhësi të ngjashme me iPhone 4. “Në fakt s’është dhe aq i shëmtuar” është shprehur Connely.
Ky produkt i IBM ka qenë gjithashtu telefoni i parë në botë që ka poseduar aplikacione softuerike, dhe ka mundur të lidhet me faks. Ka qenë në dispozicion vetëm në SHBA dhe atë vetëm në pesëmbëdhjetë shtete ku u shitëm rreth 50.000 modele. Posaçërisht për komunitetin e biznesmenëve pat fituar simpati, të cilët kishin nevojë për telefon mobil i cili mund të shfrytëzohet edhe si kompjuter.
Por çmimi i majmë dhe bateria me jetëgjatësi tejet të kufizuar bënë që eventualisht ky telefon të zhduket nga tregu rreth 2 vjet pas lëshimit të tij. “Ka pasur bateri që ka qëndruar vetëm 1 orë, dhe në atë kohë nuk ka pasur internet nëpër telefona, kështu që nuk pati mundësi të jetë i suksesshëm” ka thënë znj.Connely./Zëri/


