Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka deklaruar se me zgjedhjen e presidentes së vendit është përmbyllur procesi i konstituimit të plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ai theksoi se pas përpjekjeve të shumta, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur presidenten e vendit, duke shënuar kështu përmbylljen e konstituimit të institucioneve.
“Por më në fund u zgjodh edhe kjo nyje. Javën e kaluar, pas shumë përpjekjesh, që nga certifikimi i rezultateve, Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e 11 zgjodhi presidenten e shtetit të Republikës së Kosovës, akademikën Justina Shiroka Pulia”, shtoi.
Sipas Kurtit, zgjedhja e presidentes vjen pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 7 qershorit të këtij viti.
“Zgjedhja e presidentes shënon edhe përmbylljen e konstituimit të plotë të institucioneve, pas konstituimit të Kuvendit e formimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 7 qershorit të këtij viti. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës”, tha Kurti.
Kreu i Qeverisë vlerësoi se përmbyllja e këtij procesi i krijon vendit mundësinë që të përqendrohet në punë, projekte dhe zhvillim.
“Vendi ynë, pas shumë kohësh, ka kohë dhe mundësinë të merret me punë e projekte, zhvillim e punësim, e t’i kthehet arsyes përse ekzistojnë shërbimet ndaj qytetarëve”, shtoi Kurti.


