Pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe në Leoposaviq, Policia e Kosovës ka marrë urdhër që të kontrollojë të gjitha veturat.
Gazetarja e T7, Arianitë Zhegrova, po qëndron te pika e kontrollit tek Ura e Bistricës, që ndodhet rrugës për në Leposaviq, prej ku ka dërguar pamje ku shihen zyrtarët policorë duke ndalur për kontrollë automjetet nga të dy anët e rrugës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kanë dyshime se pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë arrestuar nga ushtria e Serbisë dhe se kjo është bërë si hakmarrje prej Serbisë për arrestimin e djeshëm të Millun Millenkoviqit.
Kurti ka thënë që hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është “agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”.
Kryeministri ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ka ftuar faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, ka shkruar Kurti.


