Kryeministri Albin Kurti është takuar me ministrin e Deleguar për Europën të Francës, Benjamin Haddad, në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, në Mal të Zi.
Kurti tha se partneriteti i Kosovës me Francën “po sjell rezultate konkrete dhe po hap mundësi të reja për bashkëpunim”.
“Pas vizitës së tij në Prishtinë në korrik, sot në Shën Stefan u takova me Ministrin e Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, para vizitës sime në Paris për Forumin e Paqes, në nëntor. Pas nënshkrimit të pesë marrëveshjeve dhe instrumenteve gjatë vizitës së tij në Kosovë, tani po punojmë për zbatimin e tyre, me synim avancimin e bashkëpunimit në drejtësi, arsim dhe sport”.
Kurti këtu përmendi ratifikimin nga Kuvendi i kredisë prej 60 milionë eurosh për infrastrukturën e Lojërave Mesdhetare 2030 është një rezultat konkret i këtij partneriteti.
“Diskutuam gjithashtu për dinamikat politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar që paqja dhe siguria janë të ndërlidhura ngushtë me demokracinë, sundimin e ligjit dhe integrimin evropian”.
Në fund, Kurti tha se mbështetja e Francës mbetet e rëndësishme për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës dhe në Bashkimin Europian.


