Sipas një njoftimi për media LDK do ta deponojë në Kushtetuese këtë ligj në orën 15:00;
Njoftimi:
“Sot (e premte), më datë 30 dhjetor 2022, në orën 15:00, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzon në Gjykatën Kushtetuese, Kërkesën për vlerësim të kushtetueshmërisë së Ligjit për Zyrtarët Publik.
Sot edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Sipas PDK-së, ky ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet europiane për administratën publike.
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, tha se ka bazë të mirëfilltë që kjo gjykatë ta shfuqizojë këtë ligj, që synon nënshtrimin e administratës publike.
“Sot me kërkesën e GP të PDK, bashkë me kolegun tim nga Kabineti për Qeverisje të Mirë, Përparim Gruda kemi paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e kushtetueshmërisë të Ligjit për Zyrtarët Publikë. Ne menojmë që kjo është një shkelje e radhës e Kushtetutës, duke shkelur dinjitetin e nëpunësve civilë, njerëzve, qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq, Koordinatori për Drejtësi në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, Përparim Gruda u shpreh se Ligji për Zyrtarët Publikë adreson një varg shkeljesh të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.
“Ky ligj qon në një politizim të skajshëm të administratës publike. Po ashtu, ky ligj shkel detyrimet, të cilat Kosova i ka marrë ndaj Bashkimit Europian si rezultat i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, një marrëveshje e cila është mbi të gjitha e Kosovës dhe që ka statusin e tillë, sepse ia përcakton Kushtetuta. Në këtë kuptim, kjo është shkelje e Kushtëtutës”, tha ai.