Drejtoria Komunale e Arsimit në Lipjan, më 31 dhjetor 2015 pati hapur konkurs për mësimëdhënës në disa shkolla të Lipjanit, raporton GazetaBlic. Mirëpo, në Shkollën e Mesme Profesionale “Adem Gllavica” në këtë qytet, të enjten e kaluar, konkursin e fitoi profesori Faik Retkoceri, i cili sipas burimeve të Gazetës Blic, është i afërt me PDK-në.
Sipas këtyre burimeve, profesori në fjalë u përzgjodh nga Drejtoria Komunale e Arsimit, në qytetin e Lipjanit.
“Faik Retkoceri është kandidati i selektuar nga drejtorati i arsimit në Komunën e Lipjanit, një militant partiak. Ai ka filluar t’i mbajë orët një javë para se të shpallej fitues. Ndërsa, të enjten e kanë zyrtarizuar se është pranuar në pozitën e shpallur nga Drejtoria e Arsimit të Kuvendit Komunal në Lipjan”, kanë deklaruar këto burime, duke shtuar se edhe profesori në fjalë ka marrë pjesë në konkurs.
Ndërsa, i kontaktuar nga ne, Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Lipjan, Rasim Hasani, ka thënë se Faik Retkoceri ka qenë i angazhuar edhe më herët dhe se po ashtu, edhe ai ka qenë pjesë e konkursit.
“Faik Retkoceri ka qenë aplikues në konkursin e rregullt. Ka më tepër se 20 vite përvojë pune në arsim. I angazhuar ka qenë, dhe atë më heret, jo një javë para se t’i dalë emri”, ka deklaruar ai për Gazetën Blic.
Mirëpo, siç është shprehur Hasani, për angazhimin e Retkocerit ka dhënë rekomandim Sektori i Inspeksionit Arsimor në Ferizaj.
“Gjithashtu kemi pasur një rekomandim nga SIA, për angazhimin e tij në orët e matematikës. Pasi ka qenë rekomandimi, ne e kemi angazhuar”, ka shtuar ai.
E në anën tjetër, shefi i Sektorit të Inspeksionit Arsimor në Ferizaj, Prenk Gashi, ka pohuar për Gazetën Blic, se ky sektor ka kërkuar që profesor Retkoceri të angazhohej diku. Kjo pasi ashtu si është shprehur ai, Retkoceri ka 23 vite përvojë pune në shkollën “Adem Gllavica”.
“ Kemi menduar se është bërë padrejtësi ndaj tij, se i ka 23 vjet përvojë punë në atë shkollë. Ne kemi kërkuar që t’i jepen orë ku ka mundësi në profesion. Ndërkohë ka dalë konkursi, dhe nuk e di a është pranuar ta them të drejtën”, ka theksuar Gashi.
Kurse, sipas burimeve të Gazetës Blic (të cilat kanë njoftuar për rastin), kjo çfarë ka ndodhur në qytetin e Lipjanit paraqet shkelje të ligjit.
“Është e turpshme, është shkelje flagrante e të drejtave themelore, e të drejtës në aplikim për punësim, në kundërshtim me të gjitha ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës, kjo që është duke ndodhur”, kanë potencuar ndër të tjera ato.
Ndryshe prej tyre, kur kryeinspektori Prenk Gashi është pyetur se a është e lejueshme një gjë e tillë (angazhimi i Retkocerit para shpalljes së fituesve), duke mos u përgjigjur në pyetje, ai ka ritheksuar se Faik Retkoceri ka qenë pjesë e konkursit.
Krahas këtyre, në nenin 35, pika 1 në Ligjit për Arsim Parauniversitar të Republikës së Kosovës, thuhet se mësimëdhënësit duhet të zgjedhen në bazë të meritave (me anë të konkursit), si dhe të mos ketë pabarazi lidhur me pikëpamjet politike, fetare e të tjera.

Nga ana tjetër, emërimi i përkohshëm i mësimëdhënësve parauniversitarë, sipas të njëjtit ligj, neni 35, pika 5- lejohet vetëm në raste kur asnjë prej kandidatëve të cilët aplikojnë në konkurs, nuk i përmbushin kriteret e duhura.

Ndryshe, intervistimi i kandidatëve të cilët aplikuan për pozitën e profesorit të matematikës në SHML “Adem Gllavica” në Lipjan, u mbajt këtë të mërkurë. Ndërsa konkursi për mësimdhënie në këtë shkollë dhe në disa të tjera të Komunës së Lipjanit, ishte shpallur më 31 dhjetor 2015, përderisa më 21 janar 2016 (dje), doli lista përfundimtare e kandidatëve-fitues, për këto pozita. /GazetaBlic/


