Milionat e politikanëve nga prona komunale

PUBLIKUAR

Disa ministra të Qeverisë së Kosovës, ish-kryeministra, zyrtarë të lartë të PDK-së dhe LDK-së, kanë blerë dhjetëra banesa, lokale afariste nga Ndërmarrja Publike Banesore nën çmimin e tregut. Të njëjtat prona në formularët e deklarimit të pasurisë i kanë vlerësuar shumëfish më shtrenjtë 

Ish-deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku, me të gjithë vëllezërit dhe familjarët e tij ka blerë jo më pak se 23 banesa, lokale dhe garazhe, nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), prona komunale këto të paguara nën vlerën e tregut.

Nuk është vetëm Deshishku që ka blerë patundshmëri nga kjo ndërmarrje.

Por, të njëjtën gjë e kanë bërë edhe disa ministra aktualë të Qeverisë së Kosovës dhe disa zyrtarë të lartë të drejtuesve të koalicionit (PDK-LDK).

Sipas një dokumenti të NPB-së mbi shitjen e patundshmërive, të cilin e posedon gazeta “Zëri”, ish-deputeti Deshishku më 15 dhjetor 2002 ka blerë nga kjo ndërmarrje një banesë me sipërfaqe prej rreth 117 metra katrorë në afërsi të Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, ku metri katror i banesës është paguar 787 euro.

Ndërsa tri garazhe te “Eqrem Çabej” me sipërfaqe prej rreth 75 metra katrorë i ka paguar në atë kohë për më pak se 30 mijë marka gjermane, përkatësisht në periudhën 2000-2001.

Ndërsa, gjatë legjislaturës së kaluar kur Deshishku ishte deputet i LDK-së, ky i fundit banesën që në vitin 2002  për rreth 92 mijë euro e kishte vlerësuar hiç më pak se 180 mijë euro, dyfish më shtrenjtë se që e ka blerë.

Edhe garazhet ai i kishte vlerësuar 30 mijë euro, të blera para më shumë se një dekade për 30 mijë marka gjermane. Në vitin 2012, kur ai ishte deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit pasuri të paluajtshme në vlerë prej 6.7 milionë euro dhe 6.5 milionë euro të tjera aksione në kompani të ndryshme.

Në listën e blerësve të patundshmërive të NPB-së, përpos Hashim Deshishkut, figurojnë edhe vëllezërit e tij Bekim Deshishku, Bashkim Deshishku, Adem Deshishku, Riza Deshishku, Metush Deshishku, Fahrie Deshishku dhe Hava Deshishku.

Deshishku: Vetëm unë kam blerë banesë

Megjithatë, ish-deputeti Deshishku ka mohuar për gazetën “Zëri” që familjarët e tij të kenë blerë patundshmëri nga Ndërmarrja Publike Banesore.

“Përveç meje, askush nga familja ime s’ka blerë patundshmëri nga Ndërmarrja Publike Banesore. Unë e kam blerë një banesë dhe një garazh”, thotë Deshishku.

Ai thotë se vlerësimin e patundshmërisë e ka bërë ndërmarrja banesore dhe në atë kohë me këtë në krye të NPB-së, siç thotë ai, nuk ka qenë një zyrtar i LDK-së, ndonëse kjo e fundit ka udhëhequr Komunën e Prishtinës.

“Obligimi im ka qenë t’i paguaj mjetet, përderisa të tjerët janë marrë me vlerësimin e pronës”, shprehet Deshishku.

Trefishohet vlera e banesës së ministres Bajrami

Përpos Deshishkut, banesë nga kjo ndërmarrje ka blerë edhe Nazmi Zeqiri, bashkëshorti i ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Zeqiri, më 26 qershor të vitit 2004, ka blerë një banesë me bodrum me sipërfaqe prej 94 metra katrorë te kompleksi “Hajdar Dushi” përreth 61 mijë euro, ku metri katror i banesës ishte shitur 665 euro, përderisa i bodrumit vetëm 250 euro.

Këtë banesë ministrja Bajrami sivjet e ka vlerësuar 180 mijë euro.

Zeqiri ka thënë për “Zërin” se banesën në fjalë e ka blerë duke respektuar të gjitha ligjet e parapara për këtë qëllim.

Ai thotë se kontrata për blerjen e banesës është lidhur me datën 22.06.2004 dhe pas kryerjes së të gjitha obligimeve financiare është vërtetuar në gjykatë më datën 21.03.2015.

“Me përgjegjësi ligjore konstatoj se transaksioni në fjalë është bërë duke i respektuar të gjitha dispozitat ligjore në Kosovë”, ka thënë ai.

Banesë në NPB ka blerë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, në vitin 2002. Ai banesën prej 116 metra katrorë te kompleksi i banesave te Fakulteti Ekonomik në Prishtinë e kishte blerë përreth 91 mijë euro.

Kosumi, i cili aktualisht është rektor i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, thotë se në atë kohë i ka ndjekur të gjitha procedurat për blerjen e kësaj banese.

“Të gjitha paratë i kam paguar dhe nga ana ime i kam ndjekur të gjitha procedurat e parapara për këtë çështje”, ka thënë ai.

Në vitin 2005, banesë nga kjo ndërmarrje ka blerë edhe ish-kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli, ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, vëllai i këtij të fundit, i cili ka qenë ministër i Arsimit, Ramë Buja, deputeti i LDK-së, Naser Osmani etj.

Kryeziu: Do t’i rishqyrtojmë shitjet selektive dhe jotransparente

Në anën tjetër, drejtuesit e Ndërmarrjes Publike Banesore thonë se do t’i rishqyrtojnë të gjitha vendimet, siç thonë ata, selektive dhe jotransparente të shitjes së pronave të tyre.

“Organet drejtuese të ndërmarrjes në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës janë duke shikuar të gjitha mundësitë ligjore që vendimet e tilla selektive dhe jotransparente të rishqyrtohen”, thotë për “Zërin” Nexhat Kryeziu, kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore.

Megjithatë, me një deklaratë të tillë të Kryeziut nuk pajtohet ish-deputeti Deshishku.

“Nuk e di si mund të kontestohen blerjet që kanë ndodhur para më shumë se dhjetë vjetëve”, thotë Deshishku.

Mirëpo, Kryeziu sqaron se banesat dhe lokalet para luftës në Kosovë NPB i ka ndërtuar me sistemin e bashkinvestimit, sipas të cilit, personat fizikë apo juridikë kanë lidhur kontratë mbi bashkimin e mjeteve për ndërtimin e banesave apo lokaleve afariste, të cilat pas përfundimit dhe pranimit teknik nga komisioni profesional u janë dorëzuar të njëjtëve.

Kryeziu pranon se një numër i blerësve nuk i kanë përmbushur obligimet financiare dhe ish-menaxhmenti i ndërmarrjes pas luftës ua ka shkëputur kontratat dhe më pastaj ka lidhur kontrata të ngjashme për bashkimin e mjeteve me persona tjerë fizikë, apo juridikë për ato banesa apo lokale, ndërtimi i të cilave veçse kishte përfunduar.

Shukri Buja në listën e uzurpatorëve

Përpos shumë patundshmërive të shitura nën vlerën e tregut, janë edhe rreth 200 banesa të Ndërmarrjes Publike Banesore të uzurpuara, të cilat gjenden kryesisht në qendër të Prishtinës.

Në këtë listë të uzurpatorëve është edhe ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja. Ky i fundit, sipas Ndërmarrjes Banesore, ka një pronë të tyre në rrugën “Dardania” 9/4 në Prishtinë.

Madje në lirimin e kësaj prone është angazhuar edhe një përmbarues privat, i cili kërkon lirimin e banesës nga Buja dhe dorëzimin e saj në posedim të pronarit legal, Ndërmarrjes Publike Banesore.

Përmbaruesi privat një kërkesë të tillë e bazon edhe në aktgjykimin e plotfuqishëm të Gjykatës Komunale në Prishtinë C.nr.2122/05 të datës 19.06.2013, i vërtetuar edhe me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit CA.nr.4597/12 të datës 10.06.2013, të cilat institucione kanë aprovuar kërkesëpadinë e palës paditëse, tash në cilësi të kreditorit – Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë.

Sipas përmbaruesit, për faktin se shfrytëzuesit e paligjshëm nuk e kanë përmbushur detyrimin, sipas aktgjykimit të sipërshënuar, përkatësisht nuk i kanë liruar banesat, kreditori kërkon nga Gjykata që t’i dorëzohen banesat në posedim dhe në bazë të dispozitave përmbaruese të marrë aktvendim për lejimin e përmbarimit të propozuar.

Shukri Buja ka deklaruar të hënën për “Zërin” se nuk ka banesë të uzurpuar të Ndërmarrjes Publike Banesore, por, siç thotë ai, një banesë të kësaj ndërmarrjeje e ka blerë pas lufte për 154 mijë marka gjermane dhe më pas të njëjtën e ka ndërruar me një banesë tjetër të NPB-së.

“Atë banesë e kam blerë 154 mijë marka menjëherë pas luftës dhe më vonë e kam ndërruar me një banesë tjetër të Ndërmarrjes Banesore”, ka deklaruar nëpërmjet telefonit për “Zërin” Shukri Buja.

Mirëpo, drejtues të Ndërmarrjes Publike Banesore sqarojnë se Buja e ka blerë një banesë tjetër prej tyre vite më parë, ndërsa një tjetër e ka të uzurpuar.www.zeri.info

SHIKO MË SHUMË

Vjehrra rrah renë në Lipjan, Policia jep detaje

Në qytetin e Lipjanit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndodhur...

Dy infermiere të reja nga Lipjani model përkushtimi në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, nën moton “Infermierët tanë, e ardhmja jonë”,...

Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një të dyshuari për grabitje në Lipjan

Policia po kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për grabitje. Njësiti...