Një grup tifozësh të Interit nga Kosova patën fatin ta takojnë legjendën e klubit zikaltër, Javier Zanettin, i cili nuk ngurroi ta vulosë nënshkrimin e tij në një veshje të Inter Club Kosova.
Si pjesëtarë të grupit zyrtar të tifozëve kosovarë të Interit, Inter Klub Kosova, Alban Kurtishi me shokë e vizituan Bullgarinë javën e kaluar, për ta shikuar nga afër ndeshjen e parë të Interit me Ludogorets në fazën e 32 skuadrave më të mira në Ligën e Evropës, shkruan Gazeta Express.
Përveç se e shijuan një fitore të lehtë 2:0 falë golave nga Christian Eriksen dhe Romelu Lukaku, interistët kosovarë morën edhe diçka të veçantë dhe paharrueshme me vete nga vizita në Bullgari, nënshkrimin e ish-kapitenit legjendar, fituesit të tripletës me zikaltrit më 2010, Zanettit.
Ata kanë pozuar me argjentinasin, tani zëvendëspresident i Interit, gjithashtu.
Zanetti e ka hedhur nënshkrimin e tij pikërisht mbi emrin “Kosova” në një rrobë të Inter Club Kosova.
Në fund të vitit të kaluar, anëtarë të Inter Club Kosova i kishin bërë 46-vjeçarit një dhuratë modeste në restorantin e tij në Milano, ku kishin darkuar.
Inter Club Kosova është i vetmi klub zyrtar për tifozët e Interit në vend. /Gazeta Express/