Qeveria shqiptare ka nisur përgatitjen për pritjen e refugjatëve sirianë nëse një gjë e tillë do t’i kërkohet në ditët në vijim nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR.
Dy burime qeveritare, në kushtet e anonimatit, i thanë Top Channelit se disa ditë më parë, gjatë një takimi me 7 ministra, zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka kërkuar ngritjen e një mekanizmi për të marrë masat në kushte nevoje.
Ndërkohë, të hënën, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, pritet ngritja e një komiteti ndërministror, i cili do të koordinojë punën nëse Shqipërisë do t’i kërkohet pritja e emigrantëve. Ky komitet do të shikojë mundësinë e kapaciteteve strehuese për sirianët.


