Është një grup prej 15 shteteve që po punojnë ngushtë me Prishtinën zyrtare, që Republika e Kosovës të anëtarësohet në UNESCO. Kështu ka deklaruar zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, i cili pranon se në mesin e këtyre shteteve janë edhe ato të Quint-it dhe disa shtete më të fuqishme nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika.
Në një intervistë dhënë “Zërit”, Selimi thotë se faza e parë kaluese është tetori i këtij viti, kur do të mblidhet Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s, ku shumica duhet të votojnë “Pro” Kosovës, që më pas në muajin nëntor të votohet në Konferencën e Përgjithshme që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate.
Por, hendikep për Kosovën, sipas Selimit, është mospjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila ka hequr dorë nga vota e saj në Konferencën e Përgjithshme.
Sidoqoftë, Selimi, bën të ditur se Kosova ka tetë muaj që po lobon me delegacione të ndryshme, prej të cilave 195 i ka kontaktuar. /Zëri/


