Këto janë 11 rrugët e kontrabandës në veri të Kosovës

PUBLIKUAR

Në pjesën veriore të Kosovës ekzistojnë 11 rrugë ilegale që shërbejnë për kontrabandë të mallrave nga Serbia në Kosovë, rrugë të cilat anashkalojnë pikat kufitare G 1 në Jarinje të Leposaviqit dhe G 31 në Bërnjak të Zubin Potokut, bëjnë të ditur burime të portalit tesheshi.com.

Sipas burimit, Komuna e Leposaviqit ka pesë rrugë ilegale; Zubin Potoku ka katër rrugë ilegale; ndërsa Komuna e Zveçanit ka dy të tilla.

Që nga viti 1999, pas hyrjes së forcave të NATO-së në Kosovë, nëpër këto rrugë ka filluar kontrabanda e mallrave, e sidomos atyre të akcizës, siç janë karburantet, pijet alkoolike dhe duhani.

“Çdo kamion i ngarkuar me mallra kontrabandë përcillet nga dy makina të tjera të vogla dhe atë nga 3-5 kilometra para dhe 3-5 km mbrapa, me qëllim të sigurimit të rrugës për mallin”, ka thënë burimi.

Sipas tij, “të gjithë personat që janë të përfshirë në këtë kontrabandë të mallit, përveç telefonave celularë kanë edhe radio marrës-dhënës me lidhje të posaçme, me qëllim të njoftimit të shoferit të kamionit për ndonjë rrezik eventual nga Policia, KFOR-i apo EULEX-i”.

“Arsyeja e përcjelljes është që ta njoftojnë shoferin e kamionit që të largohet nga rruga dhe të fshihet diku derisa të kalojë rreziku”, ka thënë burimi i portalit tesheshi.com’. “Në rast kur shoferi i kamionit i thotë përcjellësit se për një kohë të gjatë nuk ka ku të strehohet, atëherë makina që është në përcjellje të kamionit që është i ngarkuar me mall kontrabandë, pengon makinën e sigurisë që të mos lejojë t’i dalë përpara dhe të shkojë tek kamioni”.

Sipas tij, ka edhe raste kur përcjellësit e kontrabandës kanë aksidentuar qëllimisht makinat e Policisë së Kosovës, duke i bërë të mundur kamionit që të largohet nga rreziku.

Në lidhje me kontrabandën: malli në Serbi blihet me para të gatshme, duke i bërë edhe faturë të rregullt, por jo edhe dokumentacionin për doganë.

“Kamionët arrijnë deri pranë pikës kufitare dhe nga aty futen nëpër rrugë ilegale, duke anashkaluar kështu pikat kufitare te Kosovës”, ka sqaruar burimi.

Sipas tij në të gjitha këto rrugë ilegale është dashur që të ndodhej Policia kufitare e Kosovës, e kjo është dashur që të ndodhë edhe në pjesën e Serbisë.

Ai ka shtuar se në 10 rrugët alternative ndodh kontrabandë e njëjtë, ndërsa një rrugë ilegale që është në komunën e Zubin Potokut është rrugë e veçantë, pasi që në atë rrugë kalojnë kontrabandat vetëm me barna, produkte të medicinale dhe cigare.

Rruga e kontrabandës së barnave dhe cigareve gjendet në Komunën e Zubin Potokut dhe kalon përmes qendrës dimërore për skijim të Serbisë, pra Kopaonikut.

“Në një pjesë të kësaj rruge në territorin e Serbisë gjendet një repart ushtarak i Ushtrisë së Serbisë dhe për këtë arsye, pra Ushtria e Serbisë, nuk lejon që autobotet e ngarkuara me naftë të kalojnë andejpari, për arsye të sigurisë së garnizonit serb”, ka vazhduar tutje ky burim.

Sipas marrëveshjes së Brukselit, kompanitë serbe që janë të regjistruara në Kosovë, iu lejohet që deri në 30 mijë euro në muaj të fusin mall nga Serbia në Kosovë, pa asnjë lloj tatimi, e mbi këtë shumë bizneset serbe janë të detyruar që t’i paguajnë tatime shtetit të Kosovës.

Kjo kontrabande përkrahet nga Serbia, ngase ndikon direkt në dëmtimin e buxhetit të Kosovës, si dhe në shkatërrimin e ecurisë financiare të kompanive të Kosovës të cilat paguajnë taksat.

Në këtë kontrabandë burimi thotë se janë të përfshirë Policia e Kosovës dhe ajo e Serbisë.

“Nëse policia Serbisë matanë kufirit ndalon një kamion të ngarkuar me mall, ajo në bazë të ligjit është dashur që ta kthejë dhe ta dërgojë në terminalin doganor në Novi Pazar apo në Rashkë”, sqaron burimi.

Por, një gjë e tillë nuk ndodh pasi që kontranduesit i kanë korruptuar edhe Policinë e Serbisë si dhe atë të Kosovës. /tesheshi.com/

SHIKO MË SHUMË

Tollovia në Onkologji, QKUK del me reagim

Radhë të gjata të pacientëve u panë sot në Kliniken e Onkologjisë. Gjatë ditës së...

I riu kosovar vdes tragjikisht në aksident në Gjermani

Një i ri kosovar ka humbur jetën tragjikisht në një aksident në Gjermani, ditën...

Haxhiu: Eliot Engel ngriti zërin për Kosovën kur bota heshtte

Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe njëherësh kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu,...