I akuzuari për veprën penale “blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, K.G e ka pranuar fajësinë, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.
Në seancën fillestare, ai ka thënë se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, duke shtuar se këtë vepër e ka kryer duke mos e ditur që është duke bërë vepër penale.
Ai i ka premtuar gjykatës së nuk do ta përsërisë më këtë vepër, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori R.L, ka thënë se pajtohet me pranimin e fajësisë, pasi sipas tij, është në mbështetje të nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, duke i propozuar gjykatës që me rastin e shqiptimit të dënimit të ketë parasysh si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë, nga ana e të akuzuarit.
Gjykatësi i çështjes S.S, me aktvendim e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar më 21 dhjetor 2018, nga ora 13:00.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 6 shkurt 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj tani të akuzuarit K.G, të cilin e akuzon për veprën penale “blerje pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, nga neni 345 par.2 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, i akuzuari G, me 6 prill 2015, rreth orës 23.00, me qëllim që vetit t’i sjellë pasuri të kundërligjshme, i kishte blerë nëntë pula dhe dy gjela, nga dy persona të mitur në vlerë prej 60 euro, pronë e tani të dëmtuarit S.B
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari G, ka mundur ta dijë se të njëjtat janë përfituar me kryerjen e veprës penale, me ç ‘rast të dëmtuarit B, i ka shkaktuar dëme material.
Artikull nga: https://betimiperdrejtesi.com/i-akuzuari-pranon-fajesine-se-bleu-nente-pula-dhe-dy-gjela-qe-ishin-siguruar-permes-vjedhjes/


