Në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, gjatë ditës së sotme aksioni i pastrimit ka vazhduar në Janjevë të Komunës së Lipjanit, ku pjesëmarrës janë edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti dhe zyrtarë të tjerë komunalë, ekipi i “Let’s Do It Kosova” dhe banorë të këtij vendi.
Aksioni ka filluar nga shkolla fillore “Shtjefën Gjeqovi”.
Besnik Shabiu nga organizata “Let’s Do It Kosova”, gjatë pastrimit përreth shkollës fillore “Shtjefën Gjeqovi” tha se ky ambient i bënë t’u rritet vullneti dhe atdhedashuria për të dhënë më tepër kontribut për vendin, raporton Ekonomia Online.
“Jemi këtu në një ambient në të cilin ka jetuar një veprimtar i shquar shqiptar at Shtjefen Gjeqovi dhe nga këtu patjetër se rritet edhe vullneti dhe atdhedashuria e secilit prej nesh për të punu dhe për të dhënë më tepër kontribut për vendin, që të punojmë çdo ditë ta dërgojmë drejt proceseve të reja”.
Sipas Shabiut, qëkur ka filluar aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, më 15 shtator 2018, janë eliminuar më shumë se 350 deponi ilegale të mbeturinave.
“Fatkeqësisht numri i deponive ilegale në Kosovë është mjaft i madh, mirëpo në momentet që ne po flasim themi se mbi 350 deponi ilegale prejse ka fillu aksioni më 15 shtator janë eliminu në gjithë territorin e Kosovës, dhe po shihet një interesim i madh i gjithë komunave që t’i qasen aksionit të pastrimit dhe kur të gjithë e marrin me përgjegjësi, si akterët institucionalë, ashtu edhe qytetarët, po besoj që deri më datën 15 dhjetor fundi i deponive ilegale do të vjen shumë shpejt, mirëpo në kohën kur po flasim ka fillu dhe po mbahet moduli i trajnimit të mësimdhënësve që është po ashtu edhe një mesazh tjetër që vlen mu potencu, i cili ka fillu që nga dje në Komunën e Istogut, modul ky i cili ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor. Nga Komuna e Istogut do të vazhdohet me Komunën e Klinës, Skenderaj, po ashtu Lipjani dhe komuna të tjera për ta forcu edhe komponentin e edukimit, sepse e dimë se nuk mjaftojnë vetëm aksionet e pastrimit”.
Shabiu tha se 20% e kosovarëve u janë bashkuar aksioneve që i ka organizuar “Let’s Do It Kosova” deri tash.
“20 % e popullatës në gjithë Kosovën i janë bashkangjitë aksioneve të “Ta pastrojmë Kosovën”. Asnjëherë një fushatë e tillë nuk ka marrë më shumë vëmendje. Ideja jonë është që zëri dhe mesazhi ynë të dëgjohet në çdo shtëpi, dhe në ndërgjegjen e qytetarëve të Kosovës të brejë ajo që Kosova dhe mjedisi është shtëpia jonë e përbashkët dhe të gjithë duhet të investojmë që ta mbajmë të pastër”.
Gjatë ditës së sotme, pastrimi do të vazhdojë edhe në qendren e fshatit të Janjevës, pastaj do të pastrohet edhe lumi i fshatit, edhe deponia ilegale e mbeturinave.





